KRYEFAQJA » LAJME » Erblira Bici, në gjysëmfinalen e Kupë së Italisë
Volejboll, shqiptarja Bici firmos me Novarën

Erblira Bici, në gjysëmfinalen e Kupë së Italisë

Ka nisur me një paraqitje të jashtëzakonshme 2018-ta për volejbollisten shqiptare, Erblira Bici, e cila ka siguruar të mërkurën vendin në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë për Serinë A2 me skuadrën e saj të LPM Mondovisë. Skuadra e diagonalistes shqiptare triumfoi në 3 sete ndaj Soveratos, në takimin çerekfinal të zhvilluar në fushën e vet. Sportisja 1 m e 84 cm e lartë realizoi 12 pikë, por, më tepër se kaq, luajti një lojë në funksion të skuadrës, duke u votuar në fund nga tifozët edhe si Lojtarja Më e Mirë e Ndeshjes (MVP). Ky triumf i ekipit të volejbollistes kuqezi ishte edhe më domethënës, sepse ishte një hakmarrje e ëmbël ndaj një skuadre që ishte shndërruar në “macen e zezë” për LPM Mondovinë, pasi Soverato e kishte mundur në të dyja ndeshjet e kampionatit. Në gjysmëfinale skuadra e 23-vjeçares shqiptare, e cila mban vendin e dytë pas 20 ndeshjeve kampionat, me 46 pikë, do të përballet me Fenera Kierin, skuadrën që mban vendin e 3-të, me një pikë më pak. Gjysmëfinalja do të luhet më 7 shkurt, po në fushën e Mondovisë, ndërsa finalja e madhe luhet më 28 shkurt në Bolonjë. Skuadra e Erblira Bicit ka korrur 3 fitore dhe ka pësuar vetëm një humbje në këto 4 javë të para të 2018-ës, duke mbetur pretendente për vendin e parë që të çon direkt në nivelin më të lartë të volejbollit italian të femrave, në Serinë A1. Ndërsa volejbollistja e Kombëtares kuqezi ruan një nivel të jashtëzakonshëm paraqitjeje, duke patur një mesatare të admirueshme prej 18.25 pikë të realizuara për çdo ndeshje.

Sicred