KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Engjëjt janë larg” nga Gjergj Xhuvani

“Engjëjt janë larg” nga Gjergj Xhuvani

Pas një kohë nga financimi dhe xhirimet filmi “Ëngjëjt janë larg” është gati për premierën para publikut shqiptar. Me regji nga Gjergj Xhuvani filmi na sjell një atmosferë idilike mes luftës së përgjakshme të Kosovës. Filmi i cili mbledh burimet krijuese dhe produktive të Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë sjell në ekranin e madh aktorët Nik Xhelilaj, Ndriçim Xhepa, Teuta Krasniqi e po ashtu aktorin italian Rinaldo Rocco. Konsideruar një film me ambicie të madhe pasi trajton temën e dashurisë, luftës dhe rrënimit por edhe të shpresës pas luftës, filmi “Ëngjëjt janë larg”, flet për Marsin e vitit 1999, kohën kur NATO bombardonte në Kosovë. Eksodi shqiptar filloi gjatë kësaj kohe. Terrori, frika, pasiguria dhe uria e pushtuan sidomos Gjakovën që ishte në kufi me Shqipërinë dhe pjesa më e mirë e xhirimeve janë bërë në qarshinë e Gjakovës si edhe në Itali. Narracioni i tregimit luhatet mes situatave logjike dhe momenteve të humorit, karakteristike e filmave të regjisorit Xhuvani, si dhe erotizmi që në njëfarë menyre largon rrethanat e vështira që kanë ekzistuar në atë kohë. Në mes të luftës së Kosovës 1999, Mario një prift italian, refuzon të braktisë jetimët për të cilët kujdeset. Pertej Adriatikut, Hana shumë tërheqëse, braktis jetën e saj si prostitutë, dhe merr rrugën për në zonën e nxehtë të luftës në kërkim të vajzës së saj. Kur Hana arrin në jetimoren e Marios, ajo bëhet një nënë për fëmijët e tronditur nga lufta, dhe nje atraksion lind midis saj dhe njeriut të Zotit. Filmi zhvillohet në dy vija paralele që me tej ndryshojnë dhe lidhen me kërcenimin, ku në fund, të gjithë protagonistet e filmit tregojnë fatin e tyre. Filmi “Ëngjëjt janë larg” është një prodhim i On Film Production dhe Buka Production me producentë Dritan Huqi dhe Fatmir Spahiu. Pas premierës në Tiranë në kinema Millenium filmi do të shfaqet edhe në Kosovë.