KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Energji nga dielli dhe era, ERE vendos çmimin
Shqipëria synon të përfitojë energji nga dielli dhe era

Energji nga dielli dhe era, ERE vendos çmimin

Energjia e prodhuar nga parqet fotovoltaike me fuqi deri në 2 mega do të blihet nga shteti me çmimin 100 euro për megavat. Enti rregullator i energjisë ka miratuar tarifat me të cilat shteti është i detyruar ti garantoje investitorëve privatë blerjen e energjisë jo vetëm nga dielli por edhe nga era. Referuar vendimit të Entit Rregullator çmimi i blerjes për energjinë e prodhuar nga era është 76 euro për megavat dhe do të zbatohet për të gjitha parqet eolike me kapacitet deri në 3 megavat. Pas një hovi 15 vjeçar që mori prodhimi i energjisë hidro në Shqipëri, investitorë të huaj por edhe vendas i kanë kthyer sytë nga prodhimi i energjisë së pastër, që vjen nga dielli dhe era. Vetëm në muajin Korrik, pranë ministrisë së energjisë kanë mbërritur katër kërkesa për të investuar në parqe fotovoltaike. Një prej tyre, parashikon instalimin e paneleve diellore në zonën e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan, investimi arrin vlerën 2.3 milionë euro. Krahas këtij projekti, përgjatë korrikut edhe 3 kompani të tjera kanë shprehur interes për të ndërtuar parqe fotovoltaike, nga të cilat dy janë në Fier dhe një në Shkodër. Aktualisht, prodhimi i energjisë elektrike në pjesën më të madhe realizohet nga hidrocentralet. Po ashtu, rreth 13% e totalit të burimeve primare të energjisë përfshirë importet, sigurohet nga biomasa. Ndaj diversifikimi i burimeve të energjisë është në interes të qeverisë, e cila deri në 2020 duhet të arrije 38% të prodhimit të energjise nga burimet e rinovueshme.

Sicred