KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Ende i paqartë motivi i masakrës në Las Vegas

Ende i paqartë motivi i masakrës në Las Vegas

Policia e Las Vegasit po përpiqet të zbulojë arsyen e vrasjes më të madhe në masë në historinë e vendit që i kushtoi jetën të paktën 59 personave, ndërsa 527 të tjerë mbetën të plagosur.
Stephen Paddock, 64 vjeç, hapi zjarr nga kati i 32-të i hotelit “Mandalay Bay” drejt turmës së njerëzve të mbledhur në një koncert të hapur “country” duke qëlluar pa pushim.
Forcat e rendit gjetën 23 pushkë automatike në dhomën e 64-vjeçarit dhe 19 armë të tjera zjarri dhe eksplozivë në banesën e tij, shumica të blera në dyqan, por sërish nuk arrijnë ta identifikojnë dot motivin e gjestit ekstrem.
Hetuesit nuk gjurmojnë asnjë lidhje mes vrasësit dhe terrorizmit ndërkombëtar, pavarësisht pretendimeve të Shtetit Islamik se Paddock e kreu sulmin në emër të tij pasi kishte përqafuar fenë islame dhe kishte shprehur besnikëri ndaj kësaj organizate disa ditë më parë.
Ka zyrtarë që sugjerojnë se agresori mund të ketë pasur probleme psikologjike, por as për këtë nuk mbërrin ende ndonjë konfirmim.
Në fakt, Paddock nuk kishte pasur asnjë kontakt me forcat e rendit më parë. Ai nuk ishte ndëshkuar asnjëherë qoftë edhe me ndonjë gjobë trafiku rrugor. I vëllai këmbëngul se nuk ka ekzistuar asnjë dosje penale, as trajnim ushtarak e as lidhje me ndonjë grupim politik apo fetar. Gjithëçfarë dihet për momentin është se bëhet fjalë për një njeri tejet të dhënë pas kumarit.
Ka dhe një detaj tjetër të dalë në dritë së fundi: Stephen ishte, sipas të vëllait Eric, një milioner. “Ai më ndihmoi të bëhesha dikushi, ai më bëri të pasur”, rrëfen ai. Në kazinotë e Nevadës, 64-vjeçari njihej si kumarxhi shumash të mëdha; merrej me investime në pasuri të patundshme në Teksas, ishte divorcuar dy herë, kishte një liçencë piloti e zotëronte dy avionë njëmotorësh. Jetonte në një komunitet të qetë në Meskuite të Nevadës, tërhiqte shumë pak vëmendje e nga sa rrëfejnë të afërm e të njohur, nuk kishte shpërthime zemërimi. Por Paddock mbetej në fund djali i një grabitësi bankash që u arratis nga burgu dhe e kaloi pjesën më të madhe të viteve ‘70 në listën e më të kërkuarve të FBI-së.

Sicred