KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Makron flet nga Afrika për kampet e refugjatëve

Makron flet nga Afrika për kampet e refugjatëve

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se planet e BE-së për ngritjen e qendrave për emigrantët në vendet e Afrikës së Veriut nuk do të funksionojnë, nëse vendeve në fjalë nuk u ofrohet menaxhimi i procesit. Nga Nigeria, Macron ka nënvizuar se shumë vende afrikane druhen se qendra të tilla do të shërbejnë si faktor tërheqës për emigrantët, nisur nga fakti se aty do të bëhet vlerësimi i shanseve të tyre për të shkuar në Europë. Nga ana tjetër, asnjë vend afrikan nuk ka pranuar deri tani ofertën e BE-së, për të cilën liderët e vendeve anëtare ranë dakord në samitin e mbajtur më herët gjatë muajit. Macron ka thënë më tej se, Europa do të vazhdojë të përballet me valën e emigracionit nga Afrika për dekada me radhë, për shkak të rritjes së paparashikueshme të popullsisë afrikane, që përbën sipas tij “problemin thelbësor”. Gjithashtu, ai ka theksuar se BE nuk mund të vendosë për vendet afrikane, ndërsa ka shtuar se prioriteti i tij do të jetë dekurajimi i njerëzve për të ndërmarrë udhëtime që vënë në rrezik jetët e tyre. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore për Emigracionin, që nga fillimi i vitit mbi 1 mijë persona kanë humbur jetën në përpjekje për të kaluar Mesdheun. Vetëm javën e kaluar 100 vetë u mbytën dhe 100 të tjerë u raportuan të humbur pasi dy varka u përmbysën në dy incidente të ndara.

Sicred