KRYEFAQJA » LAJME » Elez Gjoza, në Bordin Ekzekutiv të Federatës Evropiane të shtangës

Elez Gjoza, në Bordin Ekzekutiv të Federatës Evropiane të shtangës

Në kuadër të Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët, që do të zhvillohet përgjatë 8 ditëve të ardhshme në Shqipëri, në qytetin e Durrësit është zhvilluar të premten në mbrëmje edhe mbledhja e Bordit Ekzekutit të Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Ndryshe nga herët e tjera, kjo mbledhje, e drejtuar nga presidenti i organizmit që qeveris shtangën kontinentale, Dr. Antonio Urso, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Hasan Akush, është zhvilluar edhe me praninë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, dhe presidentit të saj të nderit, akademikut Gudar Beqiraj. Natyrisht, midis vendimeve që mori ky Bord Ekzekutiv ishte pranimi si anëtar i tij i Presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza. Ky i fundit rikthen kështu një shqiptar në nivelin më të lartë drejtues të Federatës Evropiane të Peshëngritjes, pasi pjesë e tij ka qenë më parë, për dy mandate me radhë, edhe ish-presidenti esat Ademi. Ndërkohë, pjesë e Bordit Ekzekutiv të organizmit që qeveris shtangën kontinentale është edhe një tjetër shqiptar, presidenti i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, Astrit Hasani, i cili mbulon detyrën e thesarit. Shqipëria ka marrë vlerësime maksimale për organizmin e Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët, çka e ka bërë presidentin e Federatës, Elez Gjoza, të shprehet për aplikimin për zhvillimin në vendin tonë edhe të një Kampionati Botëror.

Sicred