KRYEFAQJA » LAJME » Elbasani po përgatitet për “Ditën e Verës”

Elbasani po përgatitet për “Ditën e Verës”

Elbasani po përgatitet për të festuar festën simbol të qytetit, “Ditën e Verës”. Atmosfera festive ka ditë që po ndihet kudo. Ndërsa aktivitetet zyrtare u çelën me panairin e librit, i cili është në vitin e tij të dytë. 44 shtëpi botuese janë bërë pjesë e ketij panairi, shumë prej tyre me tituj enkas për këtë rast.
Në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit ngriti siparin dhe Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës popullore Qytetare. Rreth 200 artistë të të gjitha grupmoshave, nga Elbasani, Lushnja, Korca, Shkodra , Dibra, Përmeti, Fieri , Kruja, Kavaja e Berati, por dhe nga Peja e Ulqini do të konkurojnë në edicionin e 15-të të kësaj ngjarjeje artistike. Festivali organizohet nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike dhe Bashkia e Elbasanit.
Ndërsa të hënën dyert e pallatit të sportit “ Tomorr Sinani” do hapen për një tjetër panair, atë të biznesit, i cili shënon edicionin e tij të 21-të. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Dhomës së Tregëtisë se Elbasanit Edmond Popa veç kompanive vendase, nga pothuajse të gjitha qytetet, ky panair po tërheq edhe vemendjen e kompanive të huaja. Aktivitetet do të kulmojnë të mërkurën, me 14 mars, datën që shënon startin e stinës së pranverës.

Sicred