KRYEFAQJA » LAJME » E kaluara e ish oficerit Zagani përplas PS dhe PD
E kaluara ndaj ish oficerit Zagani përplas PS dhe PD

E kaluara e ish oficerit Zagani përplas PS dhe PD

E kaluara e Dritan Zaganit, një ish zyrtar i policisë shqiptare i përfshirë në hetimet e të quajturës “Banda e Habiljave” dhe që aktualisht gjendet si i strehuar politik në Zvicër, ka përplasur në distancë zyrtarë të lartë të PS dhe PD.
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Basha akuzoi kreun e PD Lulzim Basha se kishte gënjyer për të kaluarën e Zaganit, kur ka thënë se ai nuk është dënuar. Sipas zotit Balla “Për Dritan Zaganin Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën arrest me burg, bazuar mbi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që në hetimin e saj ka konstatuar krimin e dekonspirimit (për llogari të një grupi trafikantësh) të një operacioni antitrafik të Policisë së Shtetit”. Ai shtoi më tej se “pas vendosjes së kësaj mase sigurie, Dritan Zagani është zhdukur për t’i ikur drejtësisë dhe është shfaqur më pas nga jashtë vendit, si heroi mediatik i Partisë Demokratike”.
Por deputeti i PD Enkeljed Alibeaj, ish ministër i drejtësisë në qeverinë e PD, këmbënguli se “Deri më sot nuk ka asnjë vendim gjyqësor për fajësinë e Zaganit”. “Në këto katër vite, Saimir Tahiri dhe Edi Rama kanë akuzuar dhe arrestuar vetëm një njeri: Dritan Zaganin, njeriun që hetoi dhe kapi në flagrancë bandën Tahiri-Habilaj” tha zoti Alibeaj në një dalje për mediat. “E vërteta është se deri më sot nuk ka asnjë vendim gjyqësor për fajësinë e Zaganit” shtoi ai.
Deklarimet e të dy palëve shihen në konteksin e çështjes së ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, ndaj të cilit ka nisur një proces hetimi nën akuzën krijimit të bandave kriminale të prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve. Zoti Tahiri i ka hedhur poshtë akuzat si të frymëzuara politikisht nga opozita e djathtë dhe është treguar i gatshëm të deklarojë në prokurori.

Sicred