KRYEFAQJA » LAJME » Dyshime për afera korruptive në MB, ish ministrit Tahiri i sekuestrohet pasaporta

Dyshime për afera korruptive në MB, ish ministrit Tahiri i sekuestrohet pasaporta

Gjykata e Krimeve të Rënda ka bllokuar pasaportën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri duke i ndaluar atij daljen jashtë vendit për një periudhë të pacaktuar. Gjykata mori këtë vendim pas kërkesës së Prokurorisë, e cila u dorëzua mëngjesin e kësaj të marte. Shkak i kësaj kërkese janë bërë disa mesazhe në aplikacione Whatsapp që janë gjetur në celularin e Orest Sotës, biznesmenit të cilit iu gjetën në automjet 863 mijë euro dhe patentat e lundrimit të Saimir Tahirit. Në këto mesazhe, vërehet se Sota komunikon me gruan e Sajmir Tahirit për mundësinë e ndërhyrjes dhe përfitimit nga tenderat e Ministrisë së Brendëshme. Nisur nga këto kushte, Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se kemi të bëjmë me afera korruptive të ish-ministrit dhe familjarëve të tij.
Televizioni shqiptar mëson se ky vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda i është shpërndarë policisë në pikat e kalimit kufitar. Krahas pasaportës, Tahirit i është bllokuar edhe karta e identitetit, duke bërë të pamundur edhe udhëtimin e tij drejt vendeve fqinje si Maqedoni, Mali i Zi apo dhe Kosovë.
Pak ditë më parë, Tahiri udhëtoi në drejtim të Gjermanisë siç u tha për të vizituar babain e tij i cili kurohet në një prej klinikave të specializuara atje për një sëmundje të rëndë. Vizita e Tahirit shkaktoi mjaft polemika.
Prej kohësh ish ministri nuk është shfaqur publikisht. Dalja e tij e fundit publike ishte në lidhje me sqarimin e pozicionit të tij në çështjen “Habilaj” ku ai mohoi akuzat e ngritura ndaj tij. Por përveç hetimeve të nisura në lidhje me grupin kriminal “Habilaj”, emri i tij doli sërish në skenë kur Policia e Elbasanit arrestoi biznesmenin Orest Sota. Por në lidhje me këtë çështje, deputeti nuk doli asnjëherë të sqarojë publikisht pozicionin e tij, arsyen pse patentat e tij u gjetën në makinën e Sotës, ashtu siç kishte bërë në çështjen e mëparshme, atë të dosjes “Habilaj”.

Sicred