KRYEFAQJA » LAJME » Durrës, zjarr në kishën famullitare të Shën Dominikut

Durrës, zjarr në kishën famullitare të Shën Dominikut

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në kishën katolike të Durrësit. Persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin derës kryesore të kishës famullitare të Shën Dominikut që gjendet në unazën e qytetit , në hyrje të zonës së ish Kënetës. Zjarri ka djegur pjesërisht derën prej druri, ndërsa mjediset e brendshme janë mbushur me tym. Famullitari i kësaj kishe Bernard Caurana shpreh keqardhjen për ngjarjen, ndërkohë që falënderon zotin që nuk ka pasur njerëz në kishë në atë orë të ngjarjes.
Famullia në fjalë është zona baritore e Etërve Dominikanë, të cilët veprojnë në Shqipëri prej më shumë se 20 vitesh. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1.30 të mëngjesit të sotëm dhe menjëherë kanë mbërritur mjete të zjarrfikësve që kanë fikur zjarrin. Policia në bashkëpunim me prokurorinë janë duke hetuar për këtë ngjarje të rëndë kundër objekteve të kultit dhe deri në këtë moment nuk ka asnëj informacion rreth saj. Ky është rasti i parë që rregjistrohet në Durrës ku persona të paidentifikuar sulmojnë me zjarrvënie një objekt kulti.

Sicred