KRYEFAQJA » LAJME » Durrës, Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rinj ul siparin
Durrës, Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rinj ul siparin

Durrës, Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rinj ul siparin

Me pjesëmarrjen e mbi 500 sportistëve dhe 200 trajnerëve, stafeve mjekësore, gjyqtarëve dhe zyrtarëve, është mbyllur të shtunën në Durrës Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët.
I pranishëm në garat e fundit ka qenë edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ai vlerësoi lart organizimin e këtij Kampionati në Shqipëri. “Është një organizim që tregon se Shqipëria dhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes kanë një rol të rëndësishëm në nivel evropian sa i takon këtij sporti mjaft sfidues dhe burrëror, por njëkohësisht edhe femëror. Në këtë drejtim unë jam i lumtur që dëgjojë fjalët më të mira nga përfaqësuesit e Federatës Evropiane të peshëngritjes, por edhe nga drejtues të federatave të ndryshme që marrin pjesë për organizimin e shkëlqyer si rrallë ndonjë vend tjetër. Për mikpritjen dhe për të gjitha kapacitetet organizative të demonstruara në nivelet më të lara nga ana e Shqipërisë. Kjo i bën nder vendit tonë dhe kjo padyshim që krijon një imazh shumë pozitiv për Shqipërinë në nivel evropian” tha presidenti Meta.
Presidenti, ish shtangist në rininë e tij theksoi se sporti është një alternativë e shëndetshme, jo vetëm për fëmijët dhe të rinjtë, por të gjitha moshat.”Jo vetëm rinia, por të gjithë duhet të merren me sport. Është rruga më e mirë për të nisur ditën por edhe për të përballuar vështirësitë dhe sfidat e jetës, aq më tepër në një kohë plot strese dhe vese. Mendoj se sporti është ilaçi më i mirë kundër streseve dhe kundër veseve” tha zoti Meta.
Garat e këtij Kampionati Evropian të Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.

Sicred