KRYEFAQJA » LAJME » Durrës, Kampionati Botëror i Shahut për fëmijë 7-17 vjeç

Durrës, Kampionati Botëror i Shahut për fëmijë 7-17 vjeç

Në Shqipëri, në bregdetin e Golemit po zhvillohet për herë të parë Kampionati Botëror i Shahut për fëmijë nga 7-17 vjeç. 400 fëmijë nga 40 vende të botës, që të shoqëruar nga prindër e trajnerë bëhen 700 pjesëmarrës, kanë mbërritur në bregdetin e Golemit e prej datës 20 prill deri në datën 29 prill, për 9 ditë do të zhvillojnë gara të përditshme në 9 raunde, sipas grupmoshave, në kategoritë meshkuj e femra, për të shpallur në fund fituesit e çdo kategorie. Fëmijë të federuar, që marrin pjesë në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, të ardhur me grupe të mëdha edhe nga vende të largëta si India, Indonezia, Sri Lanka, Mongolia, apo Amerika, Kanadaja, pa munguar Rusia e famshme për traditën e shahut apo Turqia, Anglia, Gjermania e fqinjët tanë Kosova, Serbia etj. Fëmijët që në kohën e lirë i gjen përsëri duke luajtur shah, por edhe duke pushuar e bërë plazh. “Jam nga Gjermania, por babanë e kam shqiptar. Më pëlqen shahu se mund të luash gjatë e të bën të mendosh. Në shkollë në Gjermani kam fituar më i miri në shah. Dhe këtu gara po më duket shumë e fortë”. “Kemi një traditë të madhe shahu në Serbi. Në shkolla ka klube shahu ku fëmijët luajnë. Djali është shumë i kënaqur me garën, e cila thotë se është e fortë. Deri tani ka marrë 3 pikë. Por dhe unë jam kënaqur shumë që kam zbuluar një vend kaq të bukur, njerëz të shkëlqyer, e një organizim fantastik të kampionatit”. “Një eksperiencë e mirë për djalin kjo. Ndihet i kënaqur pasi deri tani ka luajtur vetëm me rusë, jo me fëmijë nga vende të tjera. Dihet që në Rusi shahu është shumë popullor. Por këtu kemi parë shahistë të vegjël nga Azia të luajnë bashkë, gjë që nuk ndodh tek ne”. “Luaj shumë shah, nuk është thjesht një hobi për mua. Shahu më ndihmon të mendoj, të jem edhe e kujdesshme dhe e përqendruar në jetë”.

Ky është grupi prej 6 vetësh i shahistëve të rinj nga Kosova. Ndërsa ky grupi i shahistëve të vegjël të ekipit Tomorri të Beratit. Por si u bë e mundur që Shqipëria të ishte vendi organizator? Shahu, ende një prej sporteve më popullore në Shqipëri, fillimet e të cilit nisin në vitin 1933, e që e gjen të përhapur në çdo lagje, apo nëpër rrugë, ku njerëz të apasionuar luajnë e të tjerë grumbullohen e ndërveprojnë me ta, sa masiv e popullor po trashëgohet te fëmijët tanë sot? “Prej disa vitesh kemi një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit. E kemi futur si mjet edukativ në shkollë, jo si lëndë mësimore. Ka një deklaratë të parlamentit europian i cili e vlerëson shahun si mjet të rëndësishëm për zhvillimin e fëmijëve” tha Majlinda Pilinçi Sekretare e Federates Kombëtare të shahut.

Sicred