KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Duhani i Dumresë, fermerët në vështirësi

Duhani i Dumresë, fermerët në vështirësi

Duhani është bima kryesore që mbillet dhe mban gjallë fermerët e zonës së Dumresë në Elbasan. Relievi kodrinor i terrenit, por edhe cilësia e tokës është mjaftë e përshtatshme për rritjen e kësaj bime.
Por për fat të keq sipërfaqja e mbjellë me këtë kulture nga viti në vit ka ardhur duke u ulur. Gjatë këtij viti janë mbjellë 300 Ha, gati 5 herë më pak se vitet e kaluara. Shkak për mosmbjelljen e duhanit është bërë rënia e interesit të fermerëve, pasi kompanitë grumbulluese ofrojnë çmime aspak të favorshme për blerjen e prodhimit. Sikur të mos mjaftonte kjo, kompania grumbulluese e duhanit akoma nuk i ka likujduar fermerët për prodhimin e viteve të kaluara.
“Kam kultivuar 50 dynym duhan dhe sasia është më e pakët se vitet e tjera. Por firma që na e mbledh prodhimin prej tre vjetësh nuk na jep lekët” thotë një fermer. Ai shpreh shpresën se firmat e huaja mund t’ua blejnë prodhimin.
“Kemi dy vjet e gjysëm që nuk kemi marrë lekët, prandaj i kërkojmë qeverisë ndërhyrje dhe të na ndihmojë” shton një tjetër fermer.
Agronomët shprehen se duhet të ketë më shumë vlerësim në treg për këtë kulturë. “Mosdhënia e lekëve që nga viti 2015, ka bërë që shumë fermerë të tërhiqen nga prodhimi dhe disa të zvogëlojnë sipërfaqen e prodhimit” thotë agronomi Emin Hysa. Prodhimi i sivjetëm, ndonëse i pakët dhe me cilësi të mirë, qëndron në magazina dhe rrezikon kalbjen.
Përkundër kësaj historie sasia e duhanit që Shqipëria prodhon dhe tregëton në tregun e brendshëm, është rritur. Sipas statistikave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, vetëm për 5 muajt e parë të këtij viti është hedhur në treg për konsum 60 ton më shumë duhan se e njëjta periudhë e një viti më parë. E ndarë në cigare dhe duhan, shifrat rezultojnë të jenë, për vitin 2017, 1110 ton cigare, dhe duhan 33 ton, ndërsa për të njëjtën periudhë të 2016, përkatësisht janë konsumuar 1 058 ton cigare dhe 24 ton duhan. Sipas specialistëve edhe pse Shqipëria konsiderohet një vend me mundësi të madhe të prodhimit të duhanit dhe cigareve, tregu vijon të dominohet nga importuesit. Gjithnjë sipas specialistëve shqetësuese mbetet edhe kontrabanda e duhanit dhe cigareve, pavarësisht masave që autoritetet kanë marrë.

Sicred