KRYEFAQJA » LAJME » Droboniku i qershive, prodhimi nuk del dot në treg. Shkak, rruga e amortizuar

Droboniku i qershive, prodhimi nuk del dot në treg. Shkak, rruga e amortizuar

Ndërsa qershitë në tregjet e Tiranës shiten nga 250-350 lekë për kilogram, në Drobonik të Beratit, ky frut i stines, edhe këtë vit ka gjase të kalbet pa u vjelur. Dhe shkaku kryesor është se fermerët nuk arrijnë ta nxjerrin në treg për shkak të rrugës së amortizuar që lidh këtë fshat me qytetet më të afërta Beratin e Përmetin. “ Vijnë ktu dhe i marrin sa të duan ata sepse ne nuk i nxjerrim dot nga rruga e amortizuar. Edhe me 200 lekë vajti vjet, tani ka arritur në 1000 lekë kur tutje shitet me 5000 lekë ktu te ne e marrin me 800-1000 lekë. Prodhimi është i mbarë por ne kemi shumë problem tregun sepse rruga që vjen nga Berati në Drobonik është shumë e prishur.Është rruga që në kohën e Italisë. Kujtohen vetëm në kohën e zgjedhjeve të hedhin dy makina çakull sa për të marrë votat dhe pastaj nuk kujtohen më” shprehen të revoltuar fermerët e zonës. Në këtë segment nuk është ndërhyrë prej 50 vitesh. Përfaqësues të bashkisë së Beratit shprehen jashtë kamerave se, kjo rrugë, pjesë e rrugës nacionale Berat-Përmet, nuk është në jurisdiksionin e bashkisë por të Ministrisë së Transporteve. E po sipas të njëjtave burime prej dy vitesh është depozituar pranë kësaj ministrie projekti, por ende nuk ka ardhur asnjë përgjigje për financimin e tij.