KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Dramacitet dhe të papritura në ditën e parafundit të Kampionati Botëror të Atletikës

Dramacitet dhe të papritura në ditën e parafundit të Kampionati Botëror të Atletikës

Ka qenë një ditë e mbushur me dramacitet dhe të papritura ajo e 9-ta e Kampionati Botëror të Atletikës, që po zhvillohet në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër.
Gjithçka ka nisur me kërcimin së larti për femra, ku rusja Maria Lasitskene, me provën e saj të saj prej 2 metrash e 3 centimetrash, ka fituar betejën me ukrainasen Levçenko, që ka marrë medaljen e argjendtë, dhe polaken Likvinko, që ka plotësuar podiumin.
Ndërkohë, australiania Selli Pirson ka shtangur 4-shen amerikane, duke rrëmbyer kreun e podiumit të garës së 100 metra me pengesa për femra, ku, me kohën 12.59 sekonda, ka lënë prana Harper Nelsonin dhe gjermanen Pamela Dutkievic.
Një tjetër gjerman, Johanes Feter, ka marrë medaljen e artë në hedhjen e shtizës për meshkkuj, ku, me provën e tij të dytë prej 89 metrash e 89 centimetrash, ka lënë 16 cm prapa çekun Vadljeç, ndërsa një tjetër çek, Fridrik, plotësoi podiumin, duke lënë kështu jashtë zonës së medaljeve gjermanin Rëhler.
Favoriti vendas, Mohamed Farah është detyruar të kënaqet me medaljen e argjendtë në garën e 5,000 metrave për meshkuj, pasi kampion i botës u shpall etiopiani Muktar Edris, me kohën 13:32.79, ndërsa podiumin e plotësoi amerikani Çelimo.
Dhjetëgarëshi i meshkujve ka ulur gjithashtu siparin të shtunën në mbrëmje, me garën e 1,500 m, duke kurorëzuar si kampion të botës francezin Kevin Majer, që grumbulloi 8,768 pikë dhe mposhti kështu sfidën e dyshes gjermane, Riko Fraimuth dhe Kai Kazmirek, që plotësuan podiumin.
Dramatike kanë qenë dy garat e fundit të mbrëmjes, ku, në stafetën 4 x 100 për femra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe zbritën në shkallën e fundit të podiumit Xhamajkën, duke regjistruar kohën më të mirë të sezonit, 41 sekonda e 81 të qindtat.
Por gjithçka ishte e jashtëzakonshme në stafetën 4 x 100 m për meshkuj, ku 4-shja vendase e Britanisë së Madhe, i rrëmbeu fitoren në finish Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ajo që i shtangu të gjithë, ishte dëmtimi i Jusein Boltit në 100 metrat e fundit, që i mohoi Xhamajkës, por edhe vetë legjendarit të atletikës, vendin në podium në garën e tij të fundit.
Të gjitha këto emocione, sikundër gjatë gjithë këtij Kampionati të 17-të Botëror të Atletikës, sportdashësit kanë patur mundësi t’i ndjekin në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.

Sicred