KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Drama tajlandeze, Shpella do të kthehet në muze

Drama tajlandeze, Shpella do të kthehet në muze

Kompleksi i shpellave në Tajlandën veriore, ku 12 djemtë dhe trajneri i tyre i futbollit mbetën të bllokuar për më shumë se dy javë, do të shndërrohet në një muze. Zyrtarët e skuadrave të shpëtimit thanë se muzeu do të tregojë se si u zhvilluan operacionet, duke shtuar se ai do të jetë një atraksion i madh për Tajlandën. Fëmijët e shpëtuar janë në spital dhe po e marrin veten shpejt. Pamje video janë shfaqur që i tregojnë ata në formë të mirë edhe pse do të qëndrojnë në karantinë edhe për një javë. Marinsat tajlandezë po ashtu kanë publikuar pamje dramatike të vetë operacionit, që tregojnë se si zhytësit ekspertë kishin nxjerrë pjesëtarët e ekipit të futbollit në sipërfaqe. Zhytësat që kryen operacionin treguan se futbollistët e vegjël u droguan rëndë, para se shpëtimi i tyre të kryhej, në mënyrë që të mos trembeshin gjatë zhytjes në tunelet e rrezikshme të shpellës. Djemtë dhe trajneri i tyre mbijetuan për 9 ditë para se të gjendeshin duke pirë ujin që rridhte nga muret e shpellës. Djemtë u pajisën gjithashtu me skafandra zhytjeje, që mbulojnë gjithë kokën dhe jo maskat tradicionale që janë mjaft të vështira për fillestarët. Shpella Tham Luang, është një nga sistemet më të mëdha në Tajlandë. Ajo është e vendosur nën malet përreth qytetit të vogël Mae Sai, në provincën veriore Chiang Rai në kufirin me Mianmarin. Zona është kryesisht e pazhvilluar, me kapacitete të kufizuara për turistët. Nuk është e qartë nëse muzeu do të jetë operacional brenda këtij viti, edhe për faktin se Tajlanda është e ekspozuar ndaj përmbytjeve gjatë sezonit të shirave që zgjat nga qershori deri në tetor. Ishte pikërisht fillimi i papritur i sezonit të shirave që bllokoi djemtë nën tokë ndërsa ata po eksploronin shpellën.

Sicred