KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Drafti për financat e qeverisjes vendore “i harruar” nga Ministria e Financave
ministria-e-financave, drafti, mbahet peng, ministri i financave, arben ahmetaj

Drafti për financat e qeverisjes vendore “i harruar” nga Ministria e Financave

Ministria e financave po mban peng, prej më shumë se dy vitesh, një nga ligjet më të rëndësishme që lidhet me financat e pushtetit lokal dhe menaxhimin e tyre, draftin për financat e qeverisjes vendore. Ndonëse miratimi i reformës territoriale diktonte si domosdoshmëri shoqërimin e saj me një ligj të posaçëm për financat vendore, Ministria e Financave ka shkelur afatin. Edhe pse drafti është gati, siç duket pavarësisht rëndësisë që mbart, ai është harruar në zyrën e Ministrit Arben Ahmetaj për një firmë. Televizioni publik shqiptar ka siguruar një kopje të projektligjit, i cili referuar relacionit synon të qartësojë marrëdhëniet fiskale ndërmjet qeverisë qëndrore dhe vendore, si dhe të forcojë bashkërendimin e operacioneve të qeverise së përgjithshme. Por ajo që bie në sy është neni 8 i këtij ligji. Përmes këtij neni, Ministri i Financave Arben Ahmetaj, i jep vetes disa kompetenca mbi financat vendore të cilat dukshëm cënojnë pavarësinë financiare të bashkive.
“Kompetencat e Ministrit të Financave” janë si më poshtë:
-Ministri i Financave është përgjegjës për hartimin dhe miratimin e rregullave, standardeve dhe procedurave për menaxhimin financiar në nivel vendor.
-Ministri i Financave monitoron periodikisht zbatimin dhe përputhshmërinë e veprimtarisë financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore me legjislacionin në fuqi dhe ndërhyn në rastet e përcaktuara në këtë ligj dhe në akte të tjera ligjore në fuqi.
Por ministri nuk është mjaftuar veç me këtë. Në nenin 9 të ligjit, parashikohet edhe krijimi e Këshillit Konsultativ të Vetëqeverisjes Vendore me Qeverisjen Qëndrore, që sipas ekspertëve të fushës cënon pavarësinë financiare të pushtetit vendor. Nuk dihet ende se kur pritet të kalojë në qeveri ky projektligj, i cili është pluhurosur zyrave të Ministrisë.