KRYEFAQJA » LAJME » Draft-rezoluta e PE: Reformat, zgjedhjet , por edhe drejtësi për 21 janarin
Draft-rezoluta e PE: Reformat, zgjedhjet , por edhe drejtësi për 21 janarin

Draft-rezoluta e PE: Reformat, zgjedhjet , por edhe drejtësi për 21 janarin

Me 62 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenime, Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian miratoi draft-rezolutën për Shqipërinë, njofton gazetarja e RTSH në Bruksel Arta Tozaj. Në draft-rezolutë vlerësohet progresi i vazhdueshëm mbi reformat që lidhen me BE-në, në veçanti për ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugën reformës së thellë e tërësore në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, “Shqipëria nevojitet të zbatojë në mënyrë të besueshme reformat që lidhen me BE dhe të sigurojë se zgjedhjet parlamentare të Qershorit janë të lira e të ndershme, nëse duhet të nisë negociatat e anëtarësimit në BE” bëhet e ditur në deklaratën për shtyp të këtij Komiteti. Në të nënvizohet se “përjashtimi i autorëve kriminalë nga zyrat publike dhe rivlerësimi i gjykatësve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjor” konsiderohen “hapa të rëndësishëm përpara”.
Përveç 18 amendamenteve të kompromisit, kaluan dhe 2 amendamente orale. Një ndër ta për votimin elektronik propozuar nga ndjekës-raportuesi për Shqipërinë në grupin liberal, Ilhan Kyuchyuk. Eurodeputeti bullgar “inkurajon autoritetet shqipëtare për të marrë masa për të lehtësuar pjesëmarrjen në zgjedhje të qytetarëve shqipëtarë, që jetojnë kudoqoftë jashtë territorit”. Ndryshimi i dytë oral kishte karakter teknik (ndryshim fjale) për amendamentin 20 të Eduard Kukanit, përderisa “reforma e gjyqësorit mbetet (ishte “mbeti”) kyçe për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit në BE”. I djathti sllovak siguroi shumicë votash dhe për miratimin e amendamentit 157 mbi kryerjen e “ndjekjes efektive penale nga autoritetet kompetente”, “ për të dhënë drejtësi, pa vonesë, mbi viktimat e ngjarjeve të 21 janarit 2011″.
Shqetësimet kryesore të eurodeputetëve qëndrojnë për drejtësinë selektive, korrupsionin, kohëzgjatjet e procedurave gjyqësore, ndërhyrjet politike, numri i ulët i dënimeve përfundimtare, kultivimi e trafiku i drogës, minoritetet, e drejta e pronës, liria e medias, mbrojtja e mjedisit dhe rritja e numrit të azilkërkuesve shqipëtarë në Europë.
Gjatë procesit të votimit u rrëzuan ndryshimet e propozuara nga ekstremistët e majtë, kryetarja e Delegacionit Macovei, apo eurodeputetë të veçantë grekë.
Mbështetëse dhe këshilluese, si zakonisht, draft-rezoluta për Shqipërinë pritet të votohet pas dy javësh në seancë plenare, në Strasburg.

Sicred