KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Doviciozo triumfon në San Marino
Doviciozo triumfon në San Marino

Doviciozo triumfon në San Marino

Andrea Doviciozo i ka gëzuar italianët, duke triumfuar në garën e 12-të të sezonit të nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, Mot GP, në atë të San Marinos, duke fituar betejën me kampionin në fuqi të botës, Mark Markez, dhe me shokun e tij të skuadrës, Horhe Lorenco. Në fakt, ky i fundit ka qenë i pafat. Pasi ka zhvilluar dhe fituar një betejë të fortë me Markezin për vendin e dytë, është rrëzuar në xhiron e parafundit të garës, duke zbritur një shkallë më poshtë spanjollit në podium.
Ndonëse u nis nga vendi i 4-t, Doviciozo, i cili korri fitoren e 3-të të këtij sezoni në këtë Botëror të Motoçiklizmit, në garën e 287-të në karrierën e tij, mbërriti në finish me kohën 42 minuta, 5 sekonda e 426 të mijëtat. Ai la mbrapa me 2 sekonda e 822 të mijëtat e sekondës, Mark Markezin.
Spanjolli, i cili ka siguruar podiumin e 73-të në 102 gara në Moto GP, dhe po i drejtohet titullit të 5-të të kampionit të botës, u nis vetë nga vendi i 5-të dhe rendi drejt vendeve të para. Por ai u sfidua gjatë gjithë kohës, sikundër ka ndodhur në këto garat e fundit, nga dyshja e “Dukati”-t, skuadrës italiane që ka gjetur më në fund fitoren në Mizano pas plot 11 vjetësh.
Kal Kraçlou plotësoi podiumin e 15-të të tij në San Marino, ndërsa pas tij u renditën Aleks Rins, Maverik Vinjales, Dani Pedroza, Valentino Rosi, Andrea Janone, Alvaro Bautista dhe Johan Zarko. Lorenco, i cili u ngrit pas rrëzimit, u rendit vetëm i 16-ti, ndërsa Markez kryeson në kuotën e 221 pikëve, ndërsa me fitoren e sotme, Andrea Doviciozo është ngjitur në kuotën e 154 pikëve, 3 më tepër sesa Valentino Rosi.

Sicred