KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Dixhitalizimi, RTSH kërkon shtesë buxheti

Dixhitalizimi, RTSH kërkon shtesë buxheti

RTSH ka kërkuar një shtesë nga buxheti i shtetit për të përballuar investimet në teknologji në përmbyllje të procesit të dixhitalizimit. Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllçi e bëri të ditur këtë të mërkurën në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Medias. Por deputet e opozitës në këtë komision kthyen në vëmëndje ngjarjen e pak kohëve më parë, kur RTSH ndërpreu  dhënien e sinjalit të seancës parlamentare për televizionet private, ndonëse objekti i mbledhjes ishte diskutimi në parim i projektbuxhetit 2018, nga cili RTSH merr rreth 1/3 e financimit.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, zoti Gëllçi ka sqaruar se operatori publik nuk ka detyrim të shpërndajë sinjalin për televizionet private, ndonëse këta të fundit kanë qenë të ftuar të ndajnë kostot e prodhimit të sinjalit ose të transmetojnë me logon e RTSH Kuvend. “Unë kam për detyrë ta transmetoj në RTSH dhe jo në kanalet e tjera. RTSH nuk mund të jetë një infrastrukturë teknike falas për mediat private. Është shkelje e ligjit” theksoi zoti Gëllçi. “Unë nuk mund të kërkoj para dhe të them “Më jepni para të prodhoj për televizionet private”” shtoi drejtori i përgjithshëm i RTSH.
RTSH është në përmbyllje të procesit të dixhitalizimit, kostot e të cilit janë mbuluar nga një kredi prej 26 milionë euro. Drejtori i Përgjithshëm Thoma Gëllçi kërkoi një shtesë në buxhet për të mbuluar këtë detyrim, duke argumentuar se ligji përcakton se investimet teknologjike mbulohen nga buxheti i shtetit. “Shtesat janë për një punë që nuk ka të bëjë me programet, por me kredinë, shtyllat, energjinë elektrike me mbajtjen e një rrjeti që nuk na shërben vetëm ne, por u shërben të gjithëve” tha zoti Gëllçi. Gjatë vitit të fundit me të njëjtin buxhet dhe të njëtat burime njerëzore RTSH ka shtuar numrin e kanaleve, duke shkuar tek publiku me programe të dedikuara edhe në RTSH 2, RTSH 3 e RTSH SPORT. Ndërsa brenda vitit nga një kanal satelitor RTSH do të kalojë në 6 të tillë.

Sicred