KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Diva”, një koncert energjik i artisteve femra

“Diva”, një koncert energjik i artisteve femra

Vokale dhe profile artistesh të spikatura, ato kanë shënjuar epoka të ndryshme të historisë së muzikës shqiptare. Tashmë kanë vendosur të bashkojnë forcat dhe ngjyrimet e zërave të tyre në një spektakël muzikor të vetëm nën emrin “DIVA”.
Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneida Tarifa dhe Besa Kokëdhima, më 16 dhe 17 maj do të sjellin një spektakël që bashkon vokalin, energjinë muzikore, historinë e këngës shqipe për publikun. Secila me ngjyrimet vokale, përvojen dhe kontributin e saj në muzike, ky koncert përcjell edhe një mesazh mbi forcën e gruas dhe artistes shqiptare.
“Nuk kishte si të mos ishim në përzgjedhjen e grupit tonë, se dihet kush janë dhe çfarë peshe kanë si artiste” tha Rovena Dilo para gazetarëve. “Dihet që do të ishin në grupin më të ngushtë të femrave shqiptare që mund të quhen diva” shton ajo.
“Kemi zgjedhur këngët që janë bërë virale” spjegon repertorin Irma Libohova. “Por janë edhe këngë që nuk janë dëgjuar, apo nuk e dinim që pas kishin qenë kaq të bukura, dhe qarkullojnë në karaoket dhe pabet e Tiranës” thotë Libohova.
Eneida Tarifa nga ana e saj thotë se “nuk kemi vetëm misionin për të transmetuar këngët që kemi kënduar deri tani, por edhe një mision më tepër në shoqëri, i modelit të gruas shqiptare”.
Në gjithë këtë rrugëtim, është një artist shqiptar që i shoqëron, kantautori Elton Deda që është marrë me kurimin muzikor dhe artistik të këtij koncerti, që pason traditën e mirë të koncerteve pop simfoni të realizuara më parë si “Tre muskëtjerët” apo Alban Skenderaj.
“Në këtë erë të re, që këngëtarë këndojnë me orkestra simnfonik, pra po bëhet një lloj pop-i simfonik, rroku simfonik, mendo se është shumë mirë dhe njerëzit e pretendojnë atë lloj tingëllimi” tha Elton Deda.
Me përmasat e një koncerti gjigand që mund të bëhet dy netë radhazi, koncerti “DIVA” është edhe një mesazh që artistët po bëjnë rezistencë dhe kanë gjetur këtë mënyrë për ta ftuar publikun te shijet e tyre dhe tek përvoja më e mirë e muzikës shqiptare.

Sicred