KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Ditënetët e Librit” këtë mesjavë në Tiranë
"Ditënetët e Librit" këtë mesjavë në Tiranë

“Ditënetët e Librit” këtë mesjavë në Tiranë

Libri do të ketë ditët e tij këtë mes jave në kryqytet. Më shumë se 70 aktivitete do të mbahen në Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar, por edhe në Akademinë e Arteve si dhe në Lezhë e Fier, në datat 16-20 maj. Përkthimet e mëdha, veprat e rëndësishme, letërsi artistike, shqipe dhe e huaj, ilustrime letrare e karikatura artistike, projeksione filmash e biseda të lira me autorët më në zë të letrave shqip, do i japin një tjetër frymëmarrje Tiranës.
Çelja e festivalit bëhet te Atriumi i brendshëm i Muzeut Historik Kombëtar. Në ceremoninë e inaugurimit, përveç organizatorit “Klik EkspoGroup” nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës do të jenë të ftuar ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ajo e Arsimit Lindita Nikolla, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Rexhep Hoti, zv.ministër i Kulturës i Kosovës.
Mjaftueshëm hapësirë i është lënë edhe perkthimit. Bash për këtë gjatë ditëve të Festivalit do të diskutohet për rolin e përkthyesve dhe përkthimeve në Ballkan e më tutje, ndihmën e rezidencës europiane të shkrimtarëve në Tiranë. Botimet Poeteka, shtëpia botuese që ka në në fokus letërsinë e rajonit do të prezantojë sfidat me titujt me të spikatur.
Krijimtaria si ekzistencë, një prej temave aq të përfolura, do tentojë të vijë me një përgjigje të sinqertë përmes rrëfimeve mbi veten nga vetë ata që shkruajnë, në mbrëmjet e piketuara qëllimisht.
“Libri i përmirësuar nga filmi, a ndodh?”. Arkivi i filmit do të rreket t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje përmes projeksionit të disa prej ekranizimeve më të mira të letërsisë shqiptare. Skenaristë, kritikë arti, dhe studentë të Gjuhë-Letërsisë do të debatojnë më tej.
“Karikatura – shqiptarët përballë identitetit”, do të takojë karikaturistët me të njohur në vend në një bisedë mbi imazhin si simbol, përmes karikaturës shqiptare në vite.
Këto dhe shumë këndvështrime të reja do të hedhin dritë këto ditë mbi udhëkryqet e letërsisë shqiptare si pjesa më e vyer e vetëdijes kombëtare dhe jo vetëm.
Por “Ditënetët e Librit” është Festivali Ndërkombëtar Kulturor, i cili mëton të inkurajojë dhe fuqizojë lidhjen e brezave me librin. Sfondi historik i vitit mbarëshqiptar të Skënderbeut, na thërret të gjithëve që përmes nismave me libër e penë, të kontribuojmë në promovimin dhe përçimin e trashëgimisë kulturore e të traditave, duke prurë më afër vlerat shqiptare si një krenari për vehten dhe vendin tonë.

Sicred