KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Dibër, Rama inspekton projektet e qeverisë
Dibër, Rama inspekton projektet e qeverisë

Dibër, Rama inspekton projektet e qeverisë

Mbledhja e qeverisë në Peshkopi, ishte një rast i mirë që banorët e saj të takoheshin me kryeministrin Edi Rama dhe të njiheshin me projektet e ndërmarra nga qeveria.
Një prej tyre është unaza e qytetit, mungesa e së cilës krijonte kaos në lëvizjen e mjeteve. “Është një projekt që është filluar qysh nga ’85-a dhe sa herë janë ndërruar kryetarët e bashkive e kanë premtuar, kanë filluar punimet dhe janë lënë në mes. Tani po bëhet realitet kjo unazë, me një financim të qeverisë shqiptare, rreth 2 milionë euro, me gjatësi 3.5 kilometra dhe një urë 20 metra, me sistemimin e kanalizimit të ujërave të zeza dhe ujërave të bardha, me trotuare, me ndriçim” u shpreh rreth projektit kryebashkiaku Muharrem Rama.
Për kryeministrin Edi Rama ajo është një “rrugë e vogël e Arbrit”. Përfundimi i saj ka rëndësi jo vetëm për lehtësimin e lëvizjes në qytet, por i jep zgjidhje një shqetësimi të madh qytetarëve, për praninë të mjeteve të rënda në rrugët e qytetit.
Një tjetër kantier në Qarkun e Dibrës është ai i rrugës Arras-Kastriot. Rruga lidh banorët e 20 fshatrave dhe do të shkurtojë kohën e lëvizjes nga 2 orë aktualisht në 20 minuta. Impaktin e saj, në radhë të parë do ta ndjejnë fermerët që duke lehtësuar daljen e tyre në treg, ulin koston e prodhimit. “Janë 20 fshatra që e kanë bërë rrugën për dy orë. Tani me kombinimin e urës që është bërë pak më parë, rrugën tani e bëjmë për 20 minuta. Rruga vazhdon pastaj për Lurë dhe lidh gjithë pjesën tjetër me Dibrën”tha Benet Beci, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Rikonstruksioni i rrugës deri në Kastriot, aty ku do të rindërtohet muzeu i Skënderbeut, sëbashku me Rrugën e Arbrit do të rivlerësojnë potencialin turistik të kësaj treve, duke i kthyer edhe bukuritë natyrore të saj në funksion të zhvillimit ekonomik. “Nga 2 orë në 20 minuta për gjithë këto fshatra është një shpëtim i madh” tha zoti Rama. “Ne duhet të lidhim segmentin e rindërtuar me Çidhën dhe muzeun e “Skënderbeut”, që kemi bërë gati projektin. Ky është dhe viti i Skënderbeut që fillon në 28 Nëntor deri në 28 Nëntorin e ardhshëm dhe në këtë mënyrë i japim edhe një destinacion turistik” tha ndër të tjera zoti Rama.
Unaza e Klosit është një tjetër kantier në përfundim në Qarkun e Dibrës, e cila do të shmangë trafikun dhe kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë brenda në qytet. Por veç Unazës, “Do të bëjmë dhe urën, do bëjmë dhe rrugën në hyrje. Kryetari e ka projektin për t’u lidhur me unazën. Kur bashkëpunojnë socialistët me demokratët për punët reale bëhen gjëra të mëdha” tha kryeministri Rama.
Në njësinë administrative Komsi të Qarkut të Dibrës u inagurua një urë e re, mungesa e së cilës ishte kthyer në kalvarin e përditshme për fëmijët që duhet të shkonin në shkollë, pleqtë dhe të sëmurët që duhet të shkonin në qendrën shëndetësore për të marrë shërbim. Sot, falë Forcave të Armatosura të Shqipërisë, për ata do të jetë më e lehtë. “Ura që ju dorëzojmë sot, 1200 banorëve të Muzhakës dhe fshatrave përreth është një urë që i vjen në ndihmë shumë komunitetit, i vjen në ndihmë mbi 300 nxënësve të kësaj zone dhe i vjen në ndihmë banorëve për të aksesuar shumë më kollaj arteriet kryesore, për të komunikuar më kollaj mes fshatrave, por edhe për të aksesuar qendrat shëndetësore. Kjo është një nga 9 urat që ne kemi bërë në Qarkun e Dibrës” tha ministrja Olta Xhaçka.
“Mua më vjen shumë mirë që i kemi çliruar nga gjithë ky ankth i madh gjithë ato familje”. “Më vjen shumë mirë po ashtu që jemi në një bashkëpunim shumë të mirë me bashkitë e zonës, me kryetarët e bashkive dhe është një shembull i shkëlqyer që kur në terrenin e vështirësive, të problemeve, të halleve, të shqetësimeve, të shpresave, të nevojave të njerëzve jemi bashkë, të majtë e të djathtë, bëjmë ura,” – nënvizoi Kryeministri Rama. Ai tha se projekte të tjera janë në proces në gjithë zonat rurale në Qarkun Dibër, për të mbështetur njerëzit dhe prodhimin.

Sicred