KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Diamond League, Monaco; Mbrëmje magjike e atletikës botërore
Diamond League, Monaco, Mbrëmje magjike, e atletikës botërore

Diamond League, Monaco; Mbrëmje magjike e atletikës botërore

Dajmënd Liga e Monakos ka dhuruar një mbrëmje magjike të atletikës botërore. Usain Bolt e Uaid Van Niekerk, kanë qenë në qendër të vëmendjes. Xhamajkani dhuron një vepër arti në 100 metra me kohën 9″95. Duke paraqitur një gjendje të shkëlqyer fizike pak ditë para botërorit. Pavarësisht një nisje të ngadaltë, në 30 metrat e fundit, sprinteri xhamajkan tregoi edhe njëherë se është i pamposhtur duke prerë i pari finishin. NJë paralajmërim ky për kundërshtarët të cilët duket se janë të pakët në numër. Kjo është gara e fundit e Bolt në Monako pasi siç dihet ai do t’i japë lamtumirën atletikës pas botërorit të Londrës. Pas garës, atleti xhamajkan ka treguar për gjendjen e tij. “Gara ishte mirë, emocionuese dhe kishte shumë energji. Unë po shkoj në drejtimin e duhur, por ka ende shumë punë për të bërë. Jam i trishtuar që karriera ime po mbaron dhe do të më mungojnë shumë xhirot emocionuese rreth pistës në përfundim të garës”. Përsa i përket të ardhmes pas botërorit të Londrës, Bolt përgjigjet: “Kam planifikuar të bëj disa pushime me familjen pas botërorit të Londrës. Dua të qetësohem. Plani im pas këtij sezoni? Nuk jam i sigurt…”. Me këto fjalë e ka mbyllur intervistën Usain Bolt. Van Niekerk ka qenë i shkëlqyer në garën e 400 metrave. Në stadiumin Luisi i dytë, gara e 400 metrave ka qenë një spektakël teksa ai ka garuar thuajse përgjatë gjithë pistës me Makwala në krah. Ky duel ka bërë që gara të jetë tepër interesante dhe në finish Van Niekerk jep kohën 43″73 që përbën edhe një rekord të ligës. Kaster Semenia ka bërë një tjetër garë të mirë në 800m. Nga ana teknike gara e saj është konsideruar si më e mira e mbrëmjes së Monakos. Semenia me kohën 1’55″27 vendos edhe një rekord të ligës. Një tjetër rekord të ligës vendoset në garën e 1500 metrave. Manangoi pas një gare spektakolare vendos kohën 3’28″80. Në kërcim së larti për femra, vendi i parë i takon Maria Lasitskenes. Ajo në provën e dytë, arrin të kërcejë 2.05m.

Sicred