KRYEFAQJA » LAJME » Désir: I shqetësuar për propozimet për ndryshimin e ligjit “Për median audiovizive” në Shqipëri
Désir: I shqetësuar për propozimet për ndryshimin e ligjit “Për median audiovizive” në Shqipëri

Désir: I shqetësuar për propozimet për ndryshimin e ligjit “Për median audiovizive” në Shqipëri

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, tha sot, të enjen, se ishte i shqetësuar për propozimet e kohëve të fundit për ndryshimin e ligjit “Për median audiovizive” në Shqipëri, bëhet e ditur në një deklaratë të shpërndarë nga kjo organizatë.
“Autoriteti i Medias Audiovizive në vend i transmetoi Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë disa ndryshime në ligjin “Për median audiovizive”, më 8 qershor. Ndryshimet u hartuan nga pronarët dhe drejtuesit e katër stacioneve televizive lokale dhe dy kombëtare në Shqipëri. Një nga kërkesat e tyre kryesore është që transmetuesve privatë t’u jepet një pjesë e tarifës të shërbimit për përdorimin e aparateve televizive, me të cilën momentalisht financohet transmetuesi publik, RTSH”, bën të ditur deklarata.
“Jam i shqetësuar se ky propozim mund të dëmtojë qëndrueshmërinë financiare të RTSH-së”, tha Désir. “Transmetuesit publikë kanë një rol të rëndësishëm në dhënien e informacionit cilësor dhe në mbulimin e tërë territorit, dhe duhet të kenë burimet e duhura për të përmbushur detyrën e tyre”. “Çdo sistem subvencionesh shtetërore për median duhet të jetë objekt i një konsultimi publik, ku të përfshihen të gjithë aktorët e medias. Gjithashtu, ai duhet të ketë një objektiv të qartë dhe të gjerë për mbështetjen e të gjithë sektorëve të medias, përfshirë atë online, shtypin dhe median lokale, me kritere dhe procedura transparente, pa ndërhyrje politike dhe me qëllimin për të forcuar pluralizmin në media”, shtoi ai.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, ofroi mbështetjen e Zyrës së tij për një analizë ligjore të çdo projektligji për median, pasi ai të propozohet zyrtarisht nga qeveria.

Sicred