KRYEFAQJA » LAJME » Dëshmia mbi vrasjen e Emiljano Boçit

Dëshmia mbi vrasjen e Emiljano Boçit

Vrasja e Emiljano Boçit pranë ish-parkut të autobuzave në Tiranës, dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë. Ky është përfundimi paraprak i grupit hetimor pas analizimit të provave, dëshmive dhe rindërtimit të skemës së krimit, ndonëse deri tani nuk ka ende asnjë person të dyshuar. 32-vjeçari u qëllua me 5 plumba, 3 prej të cilëve e kapën në shpatull dhe pranë zemrës. Mënyra se si ka vepruar vrasësi sipas grupit hetimor ngre dyshimet e një personi të mirëtrajnuar për të kryer vrasje të tilla. Një pikë kyçe që mund të hidhte dritë për identifikimin e autorit, për policinë ishte dëshmia e mikut të Emiljano Boçit, Melvin Disha i cili mbeti i plagosur natën e atentatit. Mësohet se në dëshminë e tij, Disha ka treguar detaje nga ngjarja e rëndë, por duke theksuar se nuk ka arritur t’i dallojë autorët. “Pasi dolëm nga lokali u drejtuam drejt makinës dhe nuk pamë asgjë te pazakontë. U ula te sedilja e pasme pas shoferit. Sapo u futëm në makinë na qëlluan. Kur më preku plumbi jam shtrirë në sedile dhe kam mundur të lëviz vetëm disa minuta pasi përfunduan të shtënat. Nuk e kam idenë kush mund të jetë autori” mësohet të ketë dëshmuar 27-vjeçari. Policia ka shoqëruar për verifikim 35 persona, që mund të kenë dijeni për krimin, por edhe dëshmitarë, të cilët janë lënë të lirë pas disa orësh. Burimet thanë se mes personave që janë marrë në pyetje pas vrasjes së 32-vjeçarit të sapokthyer nga Gjermania, janë edhe të afërm të personit që Boçi plagosi në vitin 2010. Por mësohet se ata e kanë mohuar kategorikisht përfshirjen direkte apo indirekte në këtë ngjarje, duke pretenduar se ngjarja e 8 viteve më parë ishte mbyllur me marrëveshje mes dy familjeve. Nga ana tjetër, mësohet se puna e oficerëve të Krimeve të Rënda është përqendruar rreth aktivitetit që Emiljano Boçi ka pasur jashtë Shqipërisë, kryesisht në Holandë dhe Gjermani. Janë duke u verifikuar të gjitha lëvizjet e tij të fundit brenda dhe jashtë vendit, personat që ai mund të ketë pasur përplasje apo konflikte.

Sicred