KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Dënimi i pastorit amerikan Brunson, SHBA sanksione ministrave Gul dhe Sojlu
Moslirimi i Bransonit, SHBA kërcënon Turqinë me sanksione

Dënimi i pastorit amerikan Brunson, SHBA sanksione ministrave Gul dhe Sojlu

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar Turqinë, duke goditur dy nga figurat më të larta të qeverisë së Ankarasë, ministrin e Drejtësisë dhe atë të Brendshëm. Shkak për këtë lëvizje të paralajmëruar më herët nga Uashingtoni është bërë dënimi i pastorit amerikan Andrew Brunson. Për Shtëpinë e Bardhë, ministrat Abdulhamit Gul dhe Sulejman Sojlu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces. “Burgimi i padrejtë dhe përndjekja e vazhduar e ushtruar nga autoritetet turke janë të papranueshme”, ka deklaruar sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin. Zyrtari i lartë ka theksuar se, presidenti Trump e ka thënë qartë se Shtetet e Bashkuara presin lirimin e menjëhershëm të Brunson. Ditën e martë, një gjykatë turke hodhi poshtë apelin e pastorit për t’u liruar nga arresti i shtëpisë, ku ndodhet për shkak të akuzave për terrorizëm. Autoritetet turke e kanë akuzuar atë se ka bashkëpunuar me grupin që organizoi grushtin e shtetit dy vjet më parë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka deklaruar se presidenti Donald Trump ka folur me homologun turk Erdogan për rastin në fjalë. Ndërkohë, sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm turk, me të cilin ka rënë dakord të takohen në samitin e vendeve të Azisë jug-lindore, që mbahet në fundjavë në Singapor. Përveç masave ndaj dy ministrave, sanksionet amerikane ndaj Turqisë kanë nisur më herët me zhvlerësimin e lirës turke në nivelin më të ulët historik përballë dollarit.