KRYEFAQJA » LAJME » Dëmtohet Armando Sadiku, në pikëpyetje kombëtarja

Dëmtohet Armando Sadiku, në pikëpyetje kombëtarja

Sikur të mos mjaftonte një marrëdhënie problematike midis skuadrës së tij spanjolle, Levantes, dhe sulmuesit shqiptar Armando Sadiku, tanimë vjen edhe një lajm i keq për vetë futbollistin dhe Kombëtaren kuqezi. Klubi i Levantes ka konfirmuar sot pasdreke se dëmtimi i pësuar nga lojtari në gjurin e majtë gjatë ndeshjes kundër Herenvenit, mund të jetë i rëndë dhe, si pasojë, ka të ngjarë ta lërë atë për disa muaj larg fushave të lojës. Sadiku u dëmtua në gjurin e majtë pas një përplasje dhe u largua i mbajtur nga krahët nga stafi mjekësor i ekipit. Pak minuta pas përfundimit të ndeshjes, Levante bëri të ditur me një komunikatë zyrtare se konfirmohej pikërisht ajo që i frikësoheshin më shumë. “Një vizitë e parë mjekësore, e zhvilluar në mjediset e stadiumit, konfirmon dyshimin se Sadiku mund të ketë një dëmtim të rëndë në gjurin e majtë”, – shkruante klubi spanjoll në komunikatën e shpërndarë për mediat, duke vijuar: “Sulmuesi do t’i nënshtrohet testeve më specifike mjekësore pas kthimit në Valencia për të përcaktuar shkallën përfundimtare të këtij dëmtimi.”
Ky dëmtim vjen pak ditë pasi ka luajtur edhe në miqësoren që skuadra e tij spanjolle zhvilloi të enjten pasdite në Holandë përballë ekipit vendas të Utrehtit, ndeshje që u mbyll në barazim 2-2. Sadiku luajti një rol pozitiv në barazimin e shifrave, ndonëse ai vetë nuk arriti ta gjejë rrugën e rrjetës, edhe pse pati dy raste të mira për shënim. Në të parin ai goditi brenda zone, por pasaktësisht, duke shkuar dëm mundësinë për të barazuar shifrat. Ndërkaq, dy minuta para fundit, ai pati një tjetër mundësi shumë të mirë për të shënuar, por goditja e tij u grushtua nga portieri, duke i dhënë mundësi lojtarit tjetër të Levantes, Huan Delgado, të shënojë golin e dytë.
Mbetet për t’u parë sesa do të mungojë futbollisti shqiptar për klubin e tij, por edhe për Kombëtaren kuqezi të futbollit.

Sicred