KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Kumbaro jep llogari për monumentet

Kumbaro jep llogari për monumentet

Gjirokastra, dëmtimet në kalanë e saj dhe humbja e disa urave monument kulture në këtë qark, kanë qenë kryefjala e diskutimeve në komisionin parlamentar të Edukimit dhe Medias. E thirrur nga opozita në dëgjesë Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka bërë një prezantim të zgjeruar të gjendjes së Monumenteve në rrezik dhe posaçërisht për Gjirokastrën.
Por në komision janë dëgjuar diskutime me tone shumë të forta nga opozita, deputetët e së cilës Vokshi dhe Shehu i kanë kërkuar Ministres përgjegjësi për zhdukjen nga harta të shumë monumenteve të kulturës si dhe një mosrakordim shifrash.
Kritikë kanë qenë edhe deputetë të maxhorancës. Deputeti i Beratit Fadil Nasufi ish kryetari i bashkisë së qytetit të një mbi një dritareve, është shprehur se ndërhyrjet restauruese nuk janë kryer në kohë. Diskutimet nuk kanë reshtur dhe deputetët e kanë shfrytëzuar rastin për të bërë publike shqetësime mbi monumente të kulturës të zonave nga vijnë. Janë përmendur Shkodra, Pogradeci në veçanti Ura e Golikut dhe varret e Selcës të cilët sipas tyre rrezikojnë humbjen. Ndërkaq komisioni ka vendosur të thërrase edhe një ditë tjetër ministren e kulturës Kumbaro në audiencë për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Sicred