KRYEFAQJA » LAJME » Demokratët përkujtojnë Azem Hajdarin

Demokratët përkujtojnë Azem Hajdarin

Demokratët përkujtuan Azem Hajdarin, ish kryetarin e parë të Partisë Demokratike dhe heroin e demokracisë, ekzekutuar pranë ish selisë së PD-së , në 12 shtator të 98-ës. Edhe pse munguan shumë ish bashkëpunëtorë të Azem Hajdarit dhe bashkëthemelues të Partisë Demokratike, për shkak të zhvillimeve aktuale brenda kësaj force politike, gjithsesi rituali përkujtimor vazhdoi ashtu sikundër është vepruar në 19-të vite, homazhe ,vizita në shtëpi dhe pranë varrezave ku prehet Azem Hajdari. Në ceremoninë përkujtimore fjalën e mori dhe e bija e tij, sot deputete e kuvendit të Shqipërisë. Rudina Hajdari theksoi se do të jetë një zë i fuqishëm opozitar në parlament, duke patur si model, pikërisht atë të trashëguar nga i ati i saj. Ky model, thirret për tu ndjekur edhe nga Kryedemokrati Basha dhe ish Kryedemokrati Berisha, me gjykimin se vendi përballet me po të njëjtat sfida, sikundër në vitet 90-të. “Luftën pa kompromis për liri e demokraci, qëndrimin titanik kundër vesit, krimit e drogës në pushtet” tha Basha. Ndërsa Berisha u shpreh se “frymëzimi i tij është që të qëndrojmë të pamposhtur, është që të qëndrojmë më të fortë se kurrë për idealet për të cilat ai flijoi jetën e tij”. Sëbashku me Azem Hajdarin u vra edhe truproja e tij Besim Cera. Azem Hajdari ka kryesuar lëvizjen studentore të dhjetorit 90-të, që solli rrëzimin e diktaturës dhe i hapi rrugë vendosjes së sistemit pluralist dhe themelimit të Partisë së parë opozitare në vend, Partisë Demokratike.

Sicred