KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Demokratët fitojnë zgjedhjet në Alabama

Demokratët fitojnë zgjedhjet në Alabama

Në SHBA, demokratët ngushtuan diferencën në përbërjen e Senatit, me fitoren e arritur mbrëmë në zgjedhjet speciale të Alabamës. Kandidati i tyre, Doug Xhones mundi me rezultat të ngushtë rivalin e fortë republikan Roj Mur, i cili ishte përfolur për sjellje të pahijshme me vajza adoleshente para shume vitesh. Kjo është fitorja e parë e një demokrati në një çerek shekulli në Alabama, një shtet tradicionalisht mjaft konservator. Ajo shënon një goditje ndaj presidentit Donald Trump, i cili mbështeti hapur kandidatin republikan, megjithë akuzat ndaj Mur. Rezultati i garës shënon gjithashtu një plagë të re për Partinë Republikane. Republikani Mur nuk u tregua i gatshëm për ta pranuar rezultatin. Fushata e tij tha se meqenëse rezultati ishte mjaft i ngushtë, me 0,5 për qind diferencë, ose rreth 21 mijë vota, ata do të veprojnë sipas rregullave dhe do të kërkojnë rinumërimin e votave. Por sekretari i shtetit i Alabamës tha se nuk ka gjasa që rezultati të përmbyset edhe nëse do të ketë rinumërim. Presidenti Trump bëri një koment në Twitter, duke uruar fituesin demokrat Doug Xhones “Republikanët, – shkruan Presidenti Trump, – do të kenë një rast tjetër për ta marrë këtë vend të Senatit brenda një periudhe të shkurtër kohe.” Kjo fitore vë në rrezik propozimet republikane për taksat, buxhetin dhe kujdesin shëndetësor si dhe injekton energji të re në përpjekjet e Partisë Demokrate për të rifituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018.

Sicred