KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Dëbimi i diplomatëve amerikanë, SHBA: Rusia po izolon veten! Lavrov: Reagim proporcional!

Dëbimi i diplomatëve amerikanë, SHBA: Rusia po izolon veten! Lavrov: Reagim proporcional!

Pas vendimit të Rusisë për të dëbuar gjashtëdhjetë diplomatë amerikanë dhe për të mbyllur konsullatën amerikane në Shën Petërsburg, ka reaguar Departamenti i Shtetit. Zëdhënësja Hethër Nauert tha se SHBA-të mund të marrin masa të metëjshme për t’iu kundërpërgjigjur dëbimit të pajustifikuar të diplomatëve amerikanë. “Kemi të drejtën për t’u përgjigjur. Rusia ka vendosur të izolojë më shumë veten. Jemi duke shqyrtuar opsione” u shpreh zëdhënësja e departamentit në një konferencë për shtyp. Ndërkohë Shtëpia e Bardhë u shpreh se vendimi i Moskës shënonte një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe se SHBA-të do të kundërpërgjigjen. Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, dëbimi i oficerëve të padeklaruar të inteligjencës ruse nga SHBA-të dhe nga më shumë se njëzetë kombe partnere në fillim të kësaj jave, ishte një përgjigje e duhur dhënë sulmit të ndërmarrë ndaj ish spiunit rus Sergej Skripal dhe vajzës së tij, të cilët prej kohësh jetojnë në Britaninë e Madhe. Përveç lajmit për dëbimin e diplomatëve amerikanë, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, u shpreh dje se të njëjtat masa do të merreshin edhe për vendet e tjera, të cilat kanë dëbuar diplomatë rusë nga territoret e tyre. “Gjithçka do të jetë simetrike përsa i përket numrit të njerëzve që do të largohen nga misionet e tyre diplomatike në Rusi” tha Lavrov. Kjo do të thotë se, mes vendeve të prekura, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë do t’i dëbohen nga katër diplomatë secilës, Ukrainës 13 diplomatë, dhe Danimarkës, Shqipërisë dhe Spanjës do t’i dëbohen nga dy diplomatë secilës nga Rusia. Ndërkohë, Rusia i është kundërpërgjigjur edhe Britanisë, duke përzënë 23 diplomatë britanikë nga territori i saj, i njëjti numër ky me atë të diplomatëve rusë të përzënë nga Britania e Madhe.

Sicred