KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Debati për Teatrin Kombëtar zbret në parlament

Debati për Teatrin Kombëtar zbret në parlament

Një debat i fortë ka nisur ditët e fundit mes komunitetit të artistëve të Teatrit Kombëtar dhe ministrisë së Kulturës. Shkak është bërë lajmi për shembjen e godinës së vjetër dhe përgatitja e ligjit të ri për artin dhe kulturën në Shqipëri.
I ftuar në edicionin qëndror të lajmeve në Televizionin Publik, regjisori Altin Basha tha se artistët kërkojnë transparencë për projektin e godinës së ardhshme të Teatrit Kombëtar.
Ndërkaq tonet e larta të komunikimit përfshinë edhe parlamentin gjatë kësaj të enjteje. Kryeministri Rama lajmëroi se teatri do të shembet dhe në vend të tij do të ndërtohet një godinë moderne. Por opozita ka dyshime se bashkë me godinën do të ndertohet edhe një kullë. Drejtuesi i qeverisë nuk hezitoi të akuzojë opozitën se po përdor politikisht zhurmën e krijuar ditët e fundit në Teatrin Kombëtar.
Zoti Rama dhe ish paraaardhësi i tij zoti Berisha replikuan fort me batuta të zgjedhura duke tërhequr vemendjen e deputetëve.
Artistët pretendojnë dialog edhe për ligjin e ri të artit, i cili sipas qeverisë do të mbështesë krijimtarinë dhe jo pasivitetin e artistëve.