KRYEFAQJA » LAJME » De Biazi largohet përfundimisht nga kombëtarja
De Biazi largohet përfundimisht nga kombëtarja

De Biazi largohet përfundimisht nga kombëtarja

Traineri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi ka njoftuar të mërkurën largimin nga ky post. Deklaratën e tij zoti De Biazi e bëri gjatë një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin e FSHF-së, Armando Duka. “Nga sot, nuk jam më trajner i kombëtares” tha traineri i deritanishëm i kuqezinjve. Ai bëri të ditur se për momentin nuk ka asnjë projekt. “Lë drejtimin e kombëtares pa pasur një skuadër tjetër që mund të punoj aktualisht” tha zoti De Biazi, duke shtuar se “Po largohem për t’i lënë kohë trajnerit të ri që të njihet me skuadrën gjatë ndeshjeve që kanë mbetur”.
Një ditë më parë ai tha se “Nuk është një dorëheqje, por thjesht përfundimi i një cikli prej më shumë se 5 vitesh”. Kontrata e De Biazit me FSHF përfundon në Nëntor, por ai tha se nuk dëshironte ta rinovonte më. Ai tha se vërtet do të largohet nga drejtimi i kombëtares kuqezi, por nuk do të heqë dorë nga nënshtetësia shqiptare. Madje ai ka thënë se është krenar që mban edhe pasaportën shqiptare.
Gianni De Biasi erdhi në krye të kombëtares shqiptare në fund të vitit 2011. Si traineri i saj ai e ngriti ekipin në nivele të larta, duke kulmuar me pjesmarrjen e Shqipërisë në europianin e vitit 2016 në Francë, përfaqësimi më i lartë i futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Sicred