KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Davos, mblidhet Forumi Ekonomik Botëror i 48-të

Davos, mblidhet Forumi Ekonomik Botëror i 48-të

Mbi 60 kryetarë të shteteve dhe qeverive, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, pastaj qindra liderë të bizneseve, akademikë, artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile do të takohen për katër ditë, nën moton “Krijimi i një të ardhmeje të përbashkët në një botë të çarë”. Me ekonominë globale në rritje, me mesataren industriale të indeksit Dow Jones mbi 26,000 pikë për herë të parë dhe me optimizmin se rishikimi i sistemit të taksave në SHBA do të rrisë të ardhurat e korporatave, pritjet e pjesëmarrësve në samit duken të larta. Por, bora e madhe në Alpe e ka bërë udhëtimin të vështirë në shumë rajone dhe Zvicra ka lëshuar alarmin e ortekëve më 22 janar. Brenda sallave të forumit do të mbahen rreth 400 debate dhe panele me tema si: rritja ekonomike, mjedisi, terrorizmi, inteligjenca artificiale, parashikimet për Afrikën dhe mënyrat se si refugjatët mund të kontribuojnë në vendet mikpritëse. Një dekadë pasi falimentimi i bankës amerikane të investimeve Lehman Brothers ka ndihmuar në nxitjen e krizës globale financiare, duke zhytur ekonomi të shumta në recesion, Trump pritet të dominojë shumë biseda edhe para fjalimit të tij në ditën e fundit. Protesta të vogla tashmë janë mbajtur, ndërsa autoritetet kanë refuzuar kërkesën e grupeve majtiste për të protestuar në Davos më 25 janar, duke thënë se nuk ka hapësirë të mjaftueshme për shkak të reshjeve të borës. Policia zvicerane ka shpërndarë mbi 4,300 oficerë në rajon për të ofruar siguri. Forumi këtë vit do të përfshijë edhe disa sesione për ngacmimet seksuale, sidomos në industrinë e filmit. I përballur me akuzat për seksizëm, Forumi Ekonomik Botëror ka emëruar këtë vit shtatë bashkëkryesuese gra, përfshirë Christine Lagarde, shefe e Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe Ginni Rometty, shefe ekzekutive e IBM-së.

Sicred