KRYEFAQJA » LAJME » Dalin hollësi rreth grabitjes në Rinas
Aeroporti ‘Nënë Tereza’, sërish nën shënjestër të grabitësve

Dalin hollësi rreth grabitjes në Rinas

Një ditë pas grabitjes spektakolare të 10 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit, është zbuluar identiteti i njërit prej grabitësve, që u qëllua për vdekje nga policia. Kanë qenë mediat greke, ato që kanë shkruar, se ideatori i grabitjes është Admir Murataj, që u ekzekutua 2 km nga Rinasi.
Murataj, teksa kishte vendosur në kokë një maskë silikoni, që të mos identifikohej , organizoi gjithë skemën e grabitjes.
Por ai dyshohet si organizatori i tre grabitjeve të tjera, të blindave me para të bankave, dy në 2015 dhe një në 2017 në Rinas.
Admir Murataj në vitin 2013 u arratis nga burgu i Trikallas në Greqi, por kërkohej nga drejtësia e vendit fqinj për disa akuza nga vrasje, grabitje, por edhe plagosje.
Të martën, rreth orës 15:00 brenda në pistën e aeroportit të Rinasit, dyshohet se u grabitën 10 milionë euro, ndonëse ndërhyrja e policisë ishte e shpejtë, përveç Admir Muratajt, autorët e tjerë kanë mundur të largohen, ndërsa është kapur edhe një furgon me mbishkrimin të falsifikuar “Hetimi Tatimor” që autorët përdorën për të kryer grabitjen.
Ata dyshohet të kenë pasur informacion për vlerat monetare, që do të niseshin nga Shqipëria me avion për në Vjenë, ndërkohë që dyshohet të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë të brendshëm në aeroport.
Policia tha se grabitësit kishin hyrë duke thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, të shkojnë deri në barkun e avionit me pasagjerë që nisej për në Vjenë, aty ku në pjesën e bagazheve kanë bërë grabitjen teksa paratë kalonin nga makinat e blinduara për në avion.
Grabitja e 10 milion eurove në pistën e Rinasit është marrë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Nga shkurti i vitit 2015, kjo është grabitja e pestë që ka pasur si objektiv transfertat e vlerave monetare nga bankat e nivelit të dytë nga Shqipëria drejt Austrisë.

Sicred