KRYEFAQJA » LAJME » Çyrbja: Teuta e re duhet për titull gjatë sezonit 2017-2018.
teuta

Çyrbja: Teuta e re duhet për titull gjatë sezonit 2017-2018.

Teuta ka filluar me përgatitjet në terren nën drejtimin e Gugash Maganit për sezonin e ri futbollistik 2017-2018. Në Durrës bie në sy numri i pakët i futbollistëve që po stërviten pas largimeve të shumta në fund të sezonit të kaluar. Me përjashtim të disa emrave ekipi i këtij sezoni do të jetë tërësisht i ri, por me lojtarë cilësorë që janë të aftë të bëjnë diferencën. Drejtuesit po punojnë për të ndërtuar një skuadër konkurruese edhe pse deri tani afrimet kanë qenë me pikatore. Mesfushori i krahut, Arbër Çyrbja beson te projekti i klubit dhe për “RTSH Sport” thotë se Teuta e re do të jetë pretendente. Autori i 5 golave në edicionin e shkuar e pranon se pjesa më e madhe e grupit aktual janë në moshë të re, por theksoi se kanë eksperiencën e mjaftueshme për të bërë një sezon të mirë. Pas largimit të Rustem Hoxhës dhe Bruno Ditës, që së fundi ka mbajtur shiritin e kapitenit, kjo detyrë tashmë duket se do t’i besohet Arbër Çyrbjes si më i “vjetri” i grupit. Në lidhje me merkaton, trajneri Gugash Magani nuk preferoi të jap emra konkret, por pranoi se klubi po punon për të afruar lojtarë cilësorë nga Itali, mes tyre dy sulmues. Ai nuk e përjashtoi mundësinë për t’u afruar në skuadër edhe ndonjë emër i madh duke parë marrëdhëniet e mira të drejtuesve të klubit durrsak me homologët e Atalantës.

Sicred