KRYEFAQJA » LAJME » Çiklizmi shpall edhe kampionët e garës së rezistencës
Çiklizmi shpall edhe kampionët e garës së rezistencës

Çiklizmi shpall edhe kampionët e garës së rezistencës

Kampionati Kombëtar i Çiklizmit në Rrugë ka ulur të dielën pasdreke siparin e këtij viti, me ditën e dytë të garave, që ka qenë edhe gara më e vështirë, ajo e rezistencës. Sikundër në disiplinën e kronometrit një ditë më parë, edhe në këtë garë të rezistencës, morën pjesë 53 çikistë që përfaqësuan jo vetëm ekipet shqiptare, por edhe ekipet e huaja në të cilët ata militojnë. Në kategorinë e paratërinjve, ku garuan 15 çiklistë, 48 km e garës i përshkoi më shpejt Valter Hamiti, i cili u shpall “kampion” i Shqipërisë për këtë grupmoshë me kohën 1 orë, 31 minuta e 20 sekonda. Duhet theksuar se i gjithë podiumi i rezistencës ishte një përsëritje e atij të kronometrit, pasi vendin e dytë e mori Santiliano Gogaj i Apolonisë, ndërsa të 3-tin, Anesti Dhimitri i skuadrës së Skënderbeut, që po njeh rritje nga gara në garë.
Ndërkaq, për të rinj, ku gjatësia e garës ishte më e madhe, pra 62 km, gjithçka është dominuar bindshëm nga Mesut Cepa, 17-vjeçari i talentuar që militon në radhët e skuadrës “UniCash Due” në Itali, i cili ka mbërritur në finish me kohën 1 orë, 53 minuta e 9 sekonda. Pasi tij ka mbërritur dyshja e Vllaznisë, Astrit Krronaj dhe Bruno Kola, që shkëmbjnë kështu shkallët e podiumit në krahasim me garën e kronometrit të shtunën.
Në kategorinë e Nën-23-vjeçarëve, në një finish të ngjeshur, që 3 të parët i ndau me nga një sekondë secilin, kampion u shpall Ridion Kopshti, i cili, me kohën 3 orë, 40 sekonda e 12 të qindtat, fitoi duelin me shokun e tij të skuadrës italiane të GS Maltini Lampadar, Klidi Jaku, kurse vendin e 3-të e mori Marolino Hoxha i Apolonisë.
Kulmi i garës se rezistencës ka qenë kategoria elitare, aty ku Ylber Sefa ka fituar duelin me Eugert Zhupën e skuadrës italiane të “Willier Triestinës”, duke fituar bindshëm, pasi i ka përshkuar 145 km e saj me kohën 3 orë, 39 minuta e 27 sekonda. Vendin e 3-të e ka marrë Olsian Velia i skuadrës belge të ASFRA Racing.
Për Presidentin e Federatës, Skënder Anxhaku, ky Kampionat Kombëtar i Çiklizmit të Rrugës i përmbushi pritshmëritë.  Tanimë Anxhaku e ka hedhur vështrimin drejt garave të radhës.
Paratërinj – 48 km (4 x 12 km) 1. Hamit Valter i Tirana 1:31:20 2. Santiliano Goga Apolonia 1:31:21 3. Anesti Dhimitri Skënderbeu 1:31:22
Të Rinj – 62 km (4 x 15.5 km) 1. Mesut Cepa UniCash Due 1:53:09 2. Astrit Krronaj Vllaznia 1:53:30 3. Bruno Kola Vllaznia 1:54:04
Nën-23-vjeçarët – 145 km 1. Ridion Kopshti GS Maltini Lampadar 3:40:12 2. Klidi Jaku GS Maltini Lampadar 3:40:13 3. Marolino Hoxha Apolonia 3:40:14
Elitë – 145 km 1. Ylber Sefa 3:39:27 1. Eugert Zhupa Willier Triestina 3:40:12 3. Olsian Veliaj ASFRA Racing 3:40:13
Sicred