KRYEFAQJA » LAJME » Çiklizëm, 13 ekipe në rrethin e 75-të të Shqipërisë
Çiklizëm, 13 ekipe në rrethin e 75-të të Shqipërisë

Çiklizëm, 13 ekipe në rrethin e 75-të të Shqipërisë

Rrethi Çiklistik i Shqipërisë është veprimtaria e 3-të më të vjetër çiklistike në Evropë, pikërisht pas Turit të Francës dhe Xhiros së Italisë dhe tanimë gara historike e dyrrotakëve shqiptarë po rikonfirmohet gjithnjë e më tepër si një garë ndërkombëtare. Për të dytin vit radhazi, ky Rreth do të jetë pjesë e kalendarit ndërkombëtar çiklistik, ndërsa pjesëmarrja është edhe më e madhe sesa vitin e shkuar. Janë plot 13 ekipet që do të marrin pjesë, me një numër të përgjithshëm prej 133 sportistësh dhe stafi mbështetës, ndërsa midis tyre spikat padyshim fituesja në fuqi e Rrethit të Shqipërisë, “Sanxhemini MG Kvis”, e cila triumfoi në edicionin e vjetshëm, atë të 74-t. Skuadra italiane vjen pak a shumë me të njëjtën përbërje si vjet, por edhe me të njëjtin synim, për ta fituar këtë veprimtari. Midis kaleidoskopit të vendeve pjesëmarrëse, është edhe skuadra italiane e “Pro GiT Cycling Team”, ajo sllovene e “KK Bled”, ajo belge e “Asfra Racing Team”, ku garon edhe shqiptari Olsian Velia, por edhe ajo austriake e Feldbinderit. Po kështu marrin pjesë edhe francezët e “Project Nice Cote d’Azur”, rumunët e “Steauasë”, kroatët e “Meridiana Kamen”, malazezët e “Pijevljas” dhe rumunët e “Mstina Focus”. Interesant është fakti si Moldavia, Kosova dhe Shqipëria marrin pjesë me ekipet kombëtare në këtë edicion të 75-të të Rrethit Çiklistik të Shqipërisë. Ekipi kuqezi ka mbledhur disa prej çiklistëve më të spikatur ndërsa mungojnë Eugert Zhupa dhe Ylber Sefa, që po garojnë në turne madhorë ndërkombëtarë. Rrethi i 75-të Çiklistik i Shqipërisë zhvillohet nga data 19, deri më 23 maj 2018 dhe do të pasqyrohet çdo ditë me kronika në edcionet e lajmeve, por edhe me një përmbledhje të përditshme në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, që është edhe partneri mediatik zyrtar i kësaj veprimtarie.

(Visited 50 times, 50 visits today)