KRYEFAQJA » LAJME » Christoph Graf: Integrimi i shqiptarëve më i rëndësishëm se nami i tyre ! Zvicra shembull i qartë për këtë!

Christoph Graf: Integrimi i shqiptarëve më i rëndësishëm se nami i tyre ! Zvicra shembull i qartë për këtë!

Integrimi i sukseshëm i shqiptarëve në Zvicër, shpresoj të ndihmojë edhe në integrimin e Shqipërisë. Këtë e nënvizoi gjatë intervistës për RTSH, ambasadori zviceran Christoph Graf. Intervistën e realizoi gazetarja Entela Komnino.

– Zoti ambasador pse është i veçantë ky vit për marrëdhëniet Shqipëri – Zvicër?

– Në këtë vit mbushen 25 vjet nga vendosja e marrëdhenieve diplomatike pas ndryshimeve demokratike. Ne festuam me disa organizime me grupe të ndryshme, mes të cilave veçoj urimin e presidentit të sapozgjedhur  Ilir Meta.
Këtu në Shqipëri ne kemi rreth 30 ndërmarrje me përfaqësuesit e tyre dhe me ta diskutuam se si mund të shfrytëzohen mundësitë e Shqipërisë për investime, tërhoqëm dhe vemendjen e firmave të mëdha në Zvicër për  këtë, në bashkëpunim dhe me Dhomën e Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

– Përse Zvicra është e interesuar për Shqipërinë dhe çfarë mund të veçohet nga kjo marrëdhënie që nuk mund të quhet e gjatë, por e veçantë?

– 25 vjet nuk janë shumë, por varet dhe nga historia e Shqipërisë.  Marrëdhëniet shkojnë mbrapsht në vitet ’70 dhe u rihapen në 1992, por janë zhvilluar shumë shpejt dhe në vitet e fundit, sidomos këtë vit ne kishim vizita të rëndësishme si ajo e kreut të parlamentit zviceran, vizita e kryeministrit Rama në fund të marsit të këtij viti në Bernë dhe është për t’u theksuar një intensifikim i marrëdhënieve i dukshem.

– Si e gjykoni situatën e marrëdhënieve ekonomike?

– Unë mendoj se të dy vendet janë të interesuara për zhvillimin e tyre dhe gjërat po ndryshojnë shumë shpejt në Shqipëri. Në këtë kuptim kërkojmë në mundësitë e forcimit të marrëdhënieve dhe është interesi ynë që Ballkani dhe Shqipëria të begatohen dhe integrohen në shoqërinë ndërkombëtare.
Mendoj se projekt interesant është ai TAP-it. Zvicra ka qenë që në fillim të këtij projekti dhe pjesë edhe me diplomacinë e vet dhe tani së fundmi me rregullime financiare që të gjejë situatën e favorshme që projekti të çohet në fund dhe vendi të përfitojë ashtu si dhe ndermarrjet zvicerane që janë të përfshira. Pikërisht sepse jemi shumë të interesuar në zhvillimin e Shqipërisë dhe në mbarëvajtejn e ndërmarrjeve zvicerane ketu. Për këtë ka qenë programi i ashtuquajtur i mbështetjes i cili do të ripërtërihet vitin e ardhshëm për një periudhë tjetër bashkëpunimi.

– Si e shihni performancën e vendit përkundrejt investimeve zvicerane?

– Nga mbarëvajtja e deritanishme dhe ajo që më thonë investitorët zviceranë, rreth 30 ndërmarrje, mendoj që ka probleme për të zgjidhur dhe është fjala për sfida të administratës dhe ekonomisë, ku reforma në drejtësi duhet të zgjidhë shumë çështje funksionale edhe të ekonomisë. Tani e shohim që reforma në drejtësi është përparësi dhe për qeverinë e re dhe jo vetëm për BE, por edhe për Zvicrën është shumë e rëndësishme si dhe ekonominë zvicerane.

– Zvicra është parë nga Shqipëria si sinonim i perfeksionit të orëve dhe vendit që ka ofruar integritet të lartë për komunitetin shqipfoles. Si e gjykoni ju këtë realitet krahasuar me atë të ekspozuar nga mediat e huaja dhe administrata e vendeve të tjera europiane ku shqiptarët duken si problem?

– Në Zvicër ka shumë shqipfolës, mendoj rreth 300-400 mijë shqipfolës të kategorive të ndryshme, me dhe pa nënshtetësi zvicerane. Kultura shqipfolëse është shumë prezente në Zvicër. Në këtë kuptim kemi një qasje të përbashkët dhe është e njohur në shoqëri kjo prani e madhe e shqiptarëve. Në këtë kuptim është e rëndësishme që të ketë kujdes për këtë lidhje dhe duke iu referuar precizionit të orëve do të ishte gjë e mirë që gjërat të investoheshin si për to.

– Nga jashtë duket që shqiptarët në Zvicër kanë një integrim shumë të mirë. Si funksionon kjo?

– Shqiptarët janë shumë të integruar, kanë pozicione të ndryshme në shoqëri, në administrate, ka gazetarë me emra që mendohet origjinojnë si shqiptarë, por kane peshë me pozicionin e tyre të arritur.
Mendoj që integrimi ështe i suksesshëm dhe shpresoj që ai të ndihmojë edhe Shqipërinë. Në këtë kuptim mendoj që është e rëndësishme që të përdoren diasporat e suksesshme dhe e përshendes krijimin e një ministrie për shqiptarët nëpër botë. Kështu shqiptarët e huaj mund të angazhohen më shumë për vendin duke ndihmuar me kulturën tyre të marrë jashtë, në Shqipëri.

– Duke krahasuar me shqiptarët që kërkojnë të jetojnë në vende të tjera dhe statistikat që ekspozohen nga mediat ose vetë administrata e vendeve si Britania ose Holanda së fundmi, si e gjykoni arritjen e integrimit të shqiptarëve në Zvicer?

– Shqiptarët kanë kërkuar të përshtaten me kulturën, gjuhën dhe normat e vendit ku duan të jetojnë dhe mendoj që kujdesi duhet ushtruar në mënyrën se si ndihmohen për këtë. Zvicra ka kërkuar jo vetëm të bëjë me të mirën për dhënien e mundësive të integrimit, por të ofrojë vende pune, mundësi për mësimin e gjuhës dhe këtu shqiptarët janë kampionë sepse i flasin shumë shpejt gjuhët. Kemi një përvojë shumë të mirë integrimi me shqiptarët, sidomos kur nami nuk është i mirë, por nëse sheh se si shqiptarët i arrijnë gjërat, integrohen dhe angazhohen, atëhere mund të kapërcehen perceptimet e tjera.

Sicred