KRYEFAQJA » LAJME » Champions Liga, Kukësi fiton 2-1 ndaj Sheriff Tiraspol, por eliminohet

Champions Liga, Kukësi fiton 2-1 ndaj Sheriff Tiraspol, por eliminohet

Kukësi fitoi të mërkurën 2-1 ndaj Sheriff Tiraspol të Moldavisë, por nuk arrin të kualifikohet. Takimi i parë në Moldavi ishte fituar nga Sheriff Tiraspol 1-0.
Në fakt takimi ishte një sfidë e interpretuar mirë nga djemtë e Ernest Gjokes. Ata e kërkojnë golin që në fillim. Në minutën e dytë është Emini që tregohet i rrezikshë, por gjuajtja e tij nuk gjen kuadratin. Sërish pas një harkimi nga e djathta për Pejiç, kroati e lë topin për Kale në shtyllën e dytë, por Susiç shpëton portën me një ndërhyrje vendimtare.
Rasti i parë për moldavët shënohet në minutën e 26. Bajala futet brenda zonës dhe pason për Brezovec i cili godet, por Serran devijon topin në këndore.
Nëntë minuta më vonë vjen zhbllokimi i rezultatit. Kombinim perfekt i Pejiç me Eminin, i cili vallëzon me topin midis mbrojtësave të skuadrës moldave dhe duke goditur me të djathën mposht portierin Mikulic. E gjithë tifozeria kuksiane është në delir pasi kualifikimi është i hapur.
Sheriff Tiraspol kunderpergjigjet menjëherë, por Mugosha dhe Badibanga nuk arrijnë të rrezikojnë portën e Koliçit.
Dhe kur skuadrat po mendonin për dhomat e zhveshjes Kukësi godet. Është Pejiç, golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar që ndëshkon moldavët. Kale filtron një top në zonë për Eminin, i cili i shpëton mbulimit të mbrojtjes mike dhe pason për Pejiç që me portën e boshatisur nuk gabon. 2-0 për Kukësin dhe tashmë gjithçka është në favor të skuadrës së Gjokës.
Pjesa e dytë nis me një zëvëndësim. Izraeliti Nasser hyn në vend të Kale.
Dhe atëherë kur gjithçka po menaxhohej më së miri, moldavet godasin. Minuta e 56, Susiç harkon një top në zonë nga e djathta dhe Bajala godet me kokë duke mposhtur portierin Koliçi. Kukësianët demoralizohen nga goli i pësuar ndërsa Sherif Tiraspol merr frenat e lojes duke krijuar raste të njëpasnjëshme. Sërisht Koliçi vendimtar me pritjet e tij fillimisht ndaj Badibangas në minutën e 59-të dhe me pas ndaj Brezovec në minutën e 71.
Minuta e 77 ndryshon rrjedhën e lojës. De Nojer i Sheriff Tiraspol ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje ndaj Eminit duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. 5 minuta me vonë mbërrin një rast i artë për Kukësin. Kryesori boshnjak Pelto akordon 11 metërsh pas një prekje të topit me dorë nga ana e Posmaç. Nga pika e bardhe niset Pero Pejic që gjuan, por topi përfundon në duart e portierit Mikulic. Edhe pse me 10 lojtarë moldavët shfaqen të rrezikshëm me Susiç që godet nga jashtë zone, por topi kalon ngjitur me shtyllën e djathtë të Koliçit. Në minutat e fundit Kukësi përpiqet maksimalisht. Emini godet brenda zonës, por topi ndalet nga traversa. Katër minuta më vonë është Pejiç që vetëm për vetëm me Mikuliç nuk shënon. Më pas Karioka fut një top brenda zonës aty ku Emini godet nga fare pranë portës, por shtylla shpëton sërisht moldavët.
Takimi mbyllet me fitoren e Kukesit 2-1, por që i thotë lamtumirë Champions Ligës, pasi Sheriff Tiraspol kish fituar takimin e parë 1-0.

Sicred