KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Çfarë synon t’i ofrojë vendeve të rajonit tonë bashkëpunimi intensiv ekonomik rajonal?

Çfarë synon t’i ofrojë vendeve të rajonit tonë bashkëpunimi intensiv ekonomik rajonal?

Teksa në Trieste të Italisë, në një samit të posaçëm, u ra dakord për të zhvilluar tregun e përbashkët rajonal në Ballkan, të dhënat faktike për tregtinë, të paktën në rastin e Shqipërisë, nuk tregojnë përparim në vitin 2016. Sipas të dhënave nga CEFTA, shihet se tregtia e Shqipërisë me këto vende nuk pësoi ndryshime të dukshme që kur u nënshkrua marrëveshja. Në vitin 2016, Shqipëria importoi më pak mallra nga vendet e CEFTA-s. Nga 8% që ishte pesha e importeve në këto vende më 2015, në 2016 zbriti në 6%. Pikërisht për këtë arsye ka një plani veprimi të hartuar me kërkesë të kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të përgatitur një qasje bashkëpunimi të mëtejshëm ekonomik nën kontekstin e Proçesit të Berlinit dhe Samitit të Triestes. Plani mbështetet në katër shtylla kryesorë të Zonës Rajonale Ekonomike, të cilat janë tregtia, investimet, lëvizshmëria dhe integrimi. Në 10 vjet anëtarësim në CEFTA, shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e Ballkanit Perëndimor janë rritur 4.9 herë. Të dhënat e 10-vjeçarit dëshmojnë në përgjithësi se rajoni i Ballkanit Perëndimor karakterizohet nga nivele relativisht të larta të hapjes tregtare. Indeksi i hapjes tregtare për disa nga vendet, përfshirë edhe Shqipërinë, është nën mesataren e rajonit, duke shfaqur qartë domosdoshmërinë për vazhdimin e reformave në funksion të rritjes së hapjes tregtare me botën. Në vitin 2013, CEFTA ka realizuar 64% të eksporteve dhe 33% të importeve me BE-në. Në vitin 2016, rreth 70% e eksporteve janë realizuar me vendet e BE-së, ndërsa në importe partnerë të tjerë të rëndësishëm konsiderohen Rusia (8%) dhe Kina (10%). Lidhur me eksportet, vendet e CEFTA-s janë të varura nga tregjet europiane, element i cili nxit për përpjekje të mëtejshme drejt integrimit me Bashkimin Europian. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) është një marrëveshje tregtare ndërmjet vendeve joanëtare të BE-së. Që nga 1 korriku 2013, palët e marrëveshjes CEFTA janë: Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova.

Sicred