KRYEFAQJA » LAJME » Bota » “Çështja Skripal”, Australia dëbon diplomatë rusë
"Çështja Skripal", Australia dëbon diplomatë rusë

“Çështja Skripal”, Australia dëbon diplomatë rusë

Australia është vendi më i fundit që i bashkohet listës së vendeve që kanë dëbuar diplomatë rusë në kuadër të reagimit global ndaj helmimit të një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe. Kryeministri australian, Malcolm Turnbull tha se sulmi makabër në Salisbëri, ishte një sulm ndaj të gjitha vendeve.
Më shumë se 100 diplomatë rusë u dëbuan nga mbi 20 vende si pjesë e reagimit të koordinuar nga SHBA dhe BE të hënën.
Rusia u zotua se do t’i kundërpërgjigjej këtij gjesti provokativ. Moska mohon çdo përgjegjësi në sulmin ndaj ish-agjentit Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Julia. Ata u helmuan me gaz nervor dhe mbeten në spital, në gjendje kritike.
Duke iu bashkuar reagimit të përgjithshëm, Australia dëboi dy diplomatë që besohet se janë agjentë të pashpallur të inteligjencës. Duke mbështetur Britaninë në atë që besohet të jetë dëbimi më i madh kolektiv i diplomatëve rusë në histori, Turnbull tha se Moska ka ndërhyrë në zgjedhje dhe ka kërcënuar sovranitetin e partnerëve. Sipas Turnbull, reagimi i përbashkët tregon se vendet po sfidojnë papërgjegjshmërinë dhe shkeljen e ligjit nga Rusia. Megjithëse Ministria e Jashtme ruse tha se këto akte jomiqësore do të marrin përgjigjen e duhur, Britania lëvdoi reagimin e jashtëzakonshëm ndërkombëtar të aleatëve të Londrës.

Sicred