KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Çështja ARMO, IRTC garanton pagat e nëntorit, por protestuesit dyshojnë
Çështja ARMO, IRTC garanton pagat e nëntorit, por protestuesit dyshojnë

Çështja ARMO, IRTC garanton pagat e nëntorit, por protestuesit dyshojnë

Administratori i kompanisë private IRTC, që po menaxhon UPN në Ballsh, ka garantuar përfaqësinë e punonjësve grevistë se brenda ditës së premte do të paguajë pagën e plotë të muajit Nëntor. Kjo u bë e ditur në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjitikës për çështjen ARMO, pas takimi që ministrat Ahmeti dhe Gjiknuri zhvilluan me një përfaqësi të punëtorëve të Rafinerisë së Naftës në Ballsh dhe Fier dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Naftëtarëve, si dhe përfaqësuesve të kompanisë.
Punonjësit e kësaj uzine pas protestave të njëpasnjëshme, kanë marshuar të mërkurën nga Fieri në drejtim të Tiranës në një kohë të ftohtë dhe me shi, dhe kanë protestuar përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Ata kanë kërkuar më së shumti kryerja e pagesës për muajin Nëntor dhe disa detyrime të prapambetura financiare.
Sipas deklaratës Ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj theksuan edhe njëherë faktin se rafineria është tanimë një ndërmarrje në pronësi e përgjegjësi private, e për pasojë është detyrim ligjor dhe kontraktual i punëdhënësit privat të respektojë të gjitha detyrimet sipas legjislacionit në fuqi.
Institucionet shtetërore, duke marrë parasysh problematikën e parashtruar nga qytetarët e Bashkisë së Ballshit, por edhe shqetësimet e bëra publike nga Sindikata e Naftëtarëve, janë angazhuar me seriozitet të plotë dhe në mënyrë të vazhdueshme që nga njëra anë punëdhënësi privat të plotësojë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj punonjësve dhe nga ana tjetër të drejtat e punonjësve të garantohen sipas ligjit, bën të ditur deklarata.
Premtimet e kompanisë IRTC duket se nuk i kanë bindur shumë punonjësit grevistë. Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk parrin pagat do të kthehen sërish në protestë. Gjatë ditës së sotme ka patu edhe momente tensioni mes protestuesve dhe policisë.

Sicred