KRYEFAQJA » LAJME » Celularë në timon, kërkohet 10-fishim i gjobës

Celularë në timon, kërkohet 10-fishim i gjobës

Në 8 aksidente të ndodhura në Shqipëri, 6 prej tyre kanë si shkak përdorimin e telefonave celularë nga drejtuesit e mjetit. Kjo shifër ka detyruar Drejtorinë e Policisë Rrugore të kërkojë shtimin e gjobës për këtë shkelje duke e 10-fishuar atë. Nga 1 mijë e 500 lekë ta bëjë atë deri në 15 mijë lekë. Kjo kërkesë do të mbetet për tu shqyrtuar në ditët në vazhdim.

Ndryshimi i masës ndëshkuese për përdorimin e celularëve në makinë u kërkua të futet në diskutimet që Komisioni i Sigurisë po bën për një tjetër pikë të kodit rrugor, atë të heqjes së burokracive për emigrantët që gjobiten me heqje patente në Shqipëri. Nëse një emigrant apo shtetasi i huaj penalizohet me bllokim të patentës, rimarrja e saj kërkon një periudhë të gjatë kohore e cila zgjat deri në tre muaj. Por deputeti Pjerin Ndreu ka propozuar uljen e kësaj burokracie duke e konvertuar penalitetin me pagesën e dyfishit të gjobës.

Ndryshimet në Kodin Rrugor kërkojnë 84 vota dhe nevojitet dakortësia e opozitës, dhe për këtë arsye deputeti socialist Spartak Braho u shpreh pesimist se do të arrihet. Opozita nuk ishte e pranishme në komision për shkak të qëndrimit politik dhe gjasat janë që edhe ndryshimet në Kodin Rrugor njësoj si ai për statusin e gjyqtarëve të mos kalojnë për miratim.

Sicred