KRYEFAQJA » LAJME » Çelja e negociatave, Bushati kërkon mbështetjen e Miqve të Shqipërisë

Çelja e negociatave, Bushati kërkon mbështetjen e Miqve të Shqipërisë

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u ka kërkuar Miqve të Shqipërisë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së të konsiderojnë përparimin e Shqipërisë për nisjen e bisedimeve te anëtarësimit. Në takimin e iniciuar nga Ministri i Jashtëm grek Kocias, morën pjesë ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Suedisë, Rumanisë, Polonisë, Bullgarisë, Maltës, Qipros si dhe vende të tjera anëtare të BE-së. Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe shtoi se hapja e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë është vendim i drejtë dhe në interes të dyanshëm.
Ministri Bushati falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe u shpreh se ky takim është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi progresin e bërë. Ministri Bushati nënvizoi hapat që ka ndërmarrë Shqipëria përmes reformave të guximshme për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe plotësimin e pesë prioriteteve në kuadrin e perspektivës së anëtarësimit në BE.
Ministrat e jashtëm pjesëmarrës në takim, duke diskutuar koordinimin e hapave të mëtejshme të fillimit të bisedimeve të anëtarësimit, vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe rezultatet pozitive të arritura në përmbushje të prioriteteve kyçe për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe miratimin e reformës në drejtësi. Vlerësimet e krerëve te diplomacisë europiane kanë qenë edhe për progresin e pasqyruar në Raportin e Komisionit duke evidentuar ecurinë e reformave shtet-konsoliduese dhe çmuar vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të vijuar me zbatimin e reformës në drejtësi.

Sicred