KRYEFAQJA » LAJME » Çelja e bisedimeve me BE, Ruçi merr mbështetjen e Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë

Çelja e bisedimeve me BE, Ruçi merr mbështetjen e Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, në datat 15 dhe 16 maj mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve të Detit të Zi, zhvilluar në Stamboll.
Sikurse njofton e dërguara e RTSH Mimoza Haxhiaj, gjatë mbledhjes së Asamblesë Parlamentare, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi takoi Kryetarët e Parlamenteve të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe u kërkoi mbështetjen për çeljen e negociatave të BE me Shqipërinë në mbledhjen e qershorit 2018.
Kryetari i Parlamentit Grek, Nikolaos Voutsis, premtoi se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Greqisë për hapjen e negociatave në mbledhjen e Qershorit. Dhe kjo mbështetje, vlerësoi, ai është e merituar.
Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Tsveta Karayahncheva, nënvizoi se Bullgaria si vendi që ka presidencën e BE, mbështet plotësisht integrimin europian të Shqipërisë dhe hapjen e negociatave në mbedhjen e qershorit. Për më tepër, Presidenca Bullgare do të bëjë nje paraqitje mjaft pozitive të arritjeve të Shqipërisë në plotësimin e kritereve të integrimit.
Kryetari i Senatit të Rumanisë, Kalin Konstantin Anton Popesku Tariceanu, premtoi se Rumania do të jetë një avokate e fuqishme e Shqipërisë për çeljen e negociatave në mbledhjen e qershorit, si një hap drejt integrimit të Shqipërisë dhe stabilitetit e properitetit në Ballkanin Perëndimor.
Në fjalen e tij në Konferencë, zoti Ruçi nënvizoi se PABSEC, duke përfaqësuar një rajon të botës me kultura, besime, histori e tradita të ndryshme zhvillimi, është e hapur për bashkëpunime më të gjera. Edhe pse PABSEC është një organizate rajonale, përgjegjësia jonë është europiane e globale, tha ai.
Në këtë kontekst, zoti Ruci bëri thirrje që PABSEC të zgjerojë bashkëpunimin me Parlamentin Europian, Këshillin e Europës, NATO-n, OSBE-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mozaiku i kulturave dhe vlerave që promovojnë vendet e rajonit të Detit te Zi duhet të mbështetet në ekonomi të forta, zhvillim të qëndrueshem dhe sisteme solidare, për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve, që ata të gëzojnë më shumë liri, të jetojnë në shtete e shoqëri, të cilat demokratizohen vazhdimisht, tha zoti Ruçi.
Përparësitë e këtij bashkëpunimi do të vazhdojnë të jenë integrimi ekonomik dhe zhvillimi i qëndrueshëm, infrastruktura dhe energjia, bujqësia dhe zhvillimi rural, turizmi dhe mbrojtja e mjedisit, arsimi, kultura, mbrojtja sociale, tregjet financiare dhe sistemet bankare si edhe fusha të tjera që mund të sugjerojnë nevojat e zhvillimit të vendeve tona, tha kreu i parlamentit shqiptar.
Gjatë Konferencës, Kryetari i Kuvendit Ruçi u takua edhe me Kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë, Kobakhidze, me të cilin ndanë të njëjtat vlerësime se parlamentet respektive duhet të punojnë që bashkëpunimi i mirë politik midis të dy qeverive duhet të konkretizohet në shtimin e prpjekteve të bashkëpunimit ekonomik. Kryeparlamentari Ruçi i kërkoi homologut që Gjeorgjia të rishikojë qëndrimin e saj ndaj njohjes së Kosovës. (Përgatiti Mimoza Haxhiaj)

Sicred