KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Çelen lojrat e Lojrat e 23-ta Olimpike Dimërore

Çelen lojrat e Lojrat e 23-ta Olimpike Dimërore

Në një transmetim të drejtpërdrejtë të ditës së premte, Radio Televizioni Shqiptar ka përcjellë për të gjithë teleshikuesit ceremoninë e hapjes së Lojërave të 23-ta Olimpike Dimërore. Një aktivitet madhor sportiv ndërkombëtar që edhe në 16 ditët në vijim, me të gjitha garat që do të zhvillohen aty, do të transmetohet në katër kanale të rrjetit të RTSH, në RTSH 1, RTSH 2, RTSH Sport dhe RTSH 24.
Në Pjong Çang të Koresë së Jugut, vendi ku do të zhvillohen garat e kësaj olimpiade marrin pjesë 91 shtete me mbi 3 mijë atletë, të cilët do të konkurrojnë në 102 gara.
Ceremonia ka nisur me një program të shkurtër artistik ku binin sy simbolet kryesore të Koresë tigri i bardhë, dragoi blu dhe bretkosa e zezë. Ndërsa “Toka e Paqes” është slogani i kësaj olimpiade që bashkoi të dy Koretë nën një flamur.
Stadiumi mikpritës i ceremonisë prej 35 mijë vendesh është ndërtuar vetëm për dy ceremonitë hapëse dhe mbyllëse si dhe për shpërndarjen e medaljeve, të cilat do të shpërndahen çdo mbrëmje. Më pas ai do të çmontohet.
Parakalimi i ekipeve pjesëmarrëse u bë sipas alfabetit korean. Sipas traditës, vendi organizator parakalon i pari, por në mënyrë simbolike. Flamuri koreanojugor mbahet nga 8 ish-olimpistë vendas, ndërsa ekzekutohet himni kombëtar i Koresë së Jugut, që këndohet nga kori i ylberit i përbërë nga fëmijë. Më pas të pranishmit mirëpresin kalimin e ekipeve që si çdo vit fillon me Greqinë si vendi ku u zhvilluan lojërat e para olimpike.
Shtetet pjesëmarrëse fillojnë të bëjnë kalimin përreth stadiumit, teksa sportistët përshëndesin të pranishmit. Sipas alfabetit korean, Shqipëria parakalon e 48-ta. Me Suela Mëhillin flamurmbajtëse dhe pas saj me grupin e kuqezinjve, është edhe Erjon Tola. Të dy konkurrentët tanë do të garojnë në ski alpine.
Për herë të parë në një olimpiadë merr pjesë edhe Kosova, me Albin Tahirin, që do të konkurrojë edhe ai në ski alpine. Norvegjia, gjermania, Holanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa nga shtetet pretendente për ta fituar këtë olimpiadë kanë një numër të konsiderueshëm sportistësh në përbërje. Pa harruar edhe Rusinë, që përfaqësohet nga atletë të cilët nuk janë përfshirë asnjëherë në skandalet e dopingut, por që do të konkurrojnë nën flamurin Olimpik.
I fundit kalon ekipi i Koresë së Bashkuar, nën një flamur të unifikuar, i cili mbahet nga sportistë të dy Koreve, duke treguar edhe njëherë se misioni i sportit është bashkimi dhe paqja.
Në fund të ceremonisë shprehet edhe njëherë, nëpërmjet fëmijëve, dëshira për të patur një komunikim ndërkombëtar të lirshmën, në mbarë botën, pa barriera dhe pengesa.
Ceremonia është mbyllur me fjalët përshëndetëse të Li Hi Bom presidentit të Komitetit organizativ të lojërave olimpike në Pjongçang, dhe presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Tomas Bah. Ndërsa presienti i Koresë së Jugut Mun Ca In i shpalli të hapura Lojërat e 23-ta Olimpike Dimërore.

Sicred