KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Çekia interes për të investuar në Shqipëri
Çekia interes për të investuar në Shqipëri

Çekia interes për të investuar në Shqipëri

Shqipëria dhe Çekia po shikojnë mundësinë të rritin në një nivel më të lartë bashkëpunimin ekonomik midis tyre. Kjo u bë e ditur në Forumin e Biznesit mes dy vendeve të organizuar të mërkurën në Tiranë, ku morën pjesë kreu i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi dhe Presidenti i Senatit të Republikës së Çekisë, Milan Stěch.
Zoti Ruçi në fjalën e tij përshëndetëse e cilësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin ndërmjet Çekisë dhe Shqipërisë në fushën ekonomike. “Marrëdhëniet shumë të mira politike duhet dhe kanë nevojë të reflektohen edhe në bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, bashkëpunim i cili në marrëdhëniet tona ka një tendencë arritje” tha kreu i parlamentit shqiptar. Ai përmendi energjinë, industrinë petrokimike, ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, industrinë agro-bujqësore, turizmin, ndërtimin si dhe rrjetet e hotelerisë. “Ky forum është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer mundësi konkrete bashkëpunimi për të ardhmen në fusha dhe sektorë me interes të përbashkët dypalësh” shprehu besimin zoti Ruçi.
Kreu i parlamentit shqiptar gjeti rastin të nënvizonte se Shqipëria beson “…në një rajon tërësisht të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe në heqjen e pengesave të panevojshme ndaj lëvizjes së lirë të njerëzve, tregtisë dhe mallrave, të cilat janë thelbësore për rritjen tonë ekonomike dhe për arritjen e paqes sociale dhe stabilitetit politik në kontinentin evropian dhe përtej”. “Shpreh bindjen e thellë se ky forum do t’i japë kompanive shqiptare dhe çeke mundësinë për të ndarë përvojat e tyre, për të zgjeruar rrjetin e tyre të bashkëpunimit dhe për të krijuar mundësi reale për investime konkrete” tha kreu i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi.

Sicred