KRYEFAQJA » LAJME » CAS refuzon Serbinë, Kosova në UEFA

CAS refuzon Serbinë, Kosova në UEFA

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv vendosi në favor të Kosovës, duke refuzuar kërkesën e Serbisë për të anuluar vendimin e UEFA-së, për ta pranuar Kosovën anëtare të saj. Organizmi gjyqësor i Lozanës, përmes një vendimi të botuar në faqen e saj zyrtare në Internet, bëri të ditur se ka refuzuar kërkesën e Serbisë si të pabazë, duke u mbështetur tek interpretimi i nenit 5.1 të Statutit të UEFA-së. Ky nen nënkupton që territori në të cilin gjendet një federatë e futbollit, ta pranojë si shtet të pavarur të njohur nga shumica e shteteve të OKB-së. Duke folur për mediat vendase, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e ka përshëndetur këtë vendim. “Mendoj që është një vendim i merituar dhe tashmë janë hequr të gjitha dilemat” tha zot Vokrri. “Kemi menduar gjithnjë fuqishëm se do të ngadhëngjejë gjithnjë drejtësia” shtoi ai.
Në ditën e triumfit të Kosovës ndaj Serbisë, zoti Vokrri ka thënë se ka marrë qindra urime, përfshirë edhe nga serbët dhe ish-kryetari i Federatës së futbollit të Serbisë, Karaxhiç. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri tha se tanimë i mbetet Kosovës të përqendrohet në anën sportive pasi është fituar një tjetër betejë politike me Serbinë.

Sicred